Evropa po e shijon atë se sa e keqe mund të bëhet kriza energjetike e këtij dimri përderisa Kosova po fillon ta ndalë furnizimin me energji për shumicën e popullsisë së vet 2-milionëshe.
Shteti ballkanik, një ndër vendet më të varfra të Evropës, do të vendosë ndërprerje dyorëshe për shumicën e konsumatorëve nga e enjtja, tha përmes një deklarate distributori i energjisë, KEDS. Sfida vjen pasi Serbia u detyrua t’ua ndalte rrymën disa konsumatorëve dy javë më parë dhe operatori i rrjetit në Britani më herët këtë muaj e lëshoi paralajmërimin e tij të parë të dimrit.
Situata e vështirë me energjinë e Evropës është duke u përkeqësuar, pasi çmimet në rritje të gazit dhe rrymës po i detyrojnë industritë që ta frenojnë prodhimin dhe të shkaktojnë kolapsim të furnizuesve. Jeremy Weir, shef ekzekutiv i kompanisë “Trafigura Group”, muajin e kaluar paralajmëroi se Evropa mund të përjetojë ndërprerje rryme në rast të një dimri të ftohtë.
Kjo ishte para se “Electricite de France SA” të thoshte se do t’i ndalte reaktorët që përbëjnë 10 për qind të kapacitetit bërthamor të vendit. Gjermania gjithashtu pritet ta mbyllë gati gjysmën e kapacitetit të energjisë bërthamore para fundit të vitit, duke vënë trysni të mëtejme në rrjetet evropiane.
Sistemi energjetik i Kosovës është i stërngarkuar, sipas KEDS-it, që bëri thirrje për kursim maksimal të energjisë.
Mosfunksionimi i një njësie në termocentralin kryesor të energjisë në Kosovë, që punon me thëngjill, e shtoi mungesën e zakonshme të energjisë në dimër, duke kërkuar importim “jashtëzakonisht të kushtueshëm”, u tha gazetarëve në Prishtinë javën e kaluar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Prodhimi vendës i rrymës tani mbulon më pak se një të tretën e konsumit, raportoi Gazeta Express.
Importimi i rrymës
Katër nga pesë njësitë e termocentralit 800-megavatësh me thëngjill janë duke operuar, sipas të dhënave nga shoqata e rrjetit, Entso-E. Importet – nga vendet fqinje, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore – ra nga kulmi prej mbi 750 megavatësh të mërkurën në rreth 469 megavatë në orën 13 të enjten, tha kjo shoqatë.
Reduktimet vijnë pasi çmimet e gazit në bursë në Evropë u rritën para sezonit dimëror. Kërkesa globale në rritje për thëngjill gjithashtu i ka rritur çmimet e lëndës më të pistë djegëse.
Konsumatorët duhet ta përdorin energjinë elektrike në mënyrën më racionale, “duke e marrë parasysh prodhimin e brendshëm të pamjaftueshëm për ta mbuluar konsumin dhe krizën energjetike globale”, tha përmes një deklarate menaxheri i rrjetit elektrik të Kosovës./GazetaExpress