Papa Françesku po zhvillon një vizitë historike në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga Abu Dabi, ku u takua me Princin e Kurorës, Ati i Shenjtë përcolli një mesazh të rëndësishëm sa i takon luftës në Jemen dhe Lindjen e Mesme.
Papa Françesku, i pari at i shenjtë që shkel në Gadishullin Arabik, u takua të hënën në Abu Dabi me liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për një vizitë historike, përmes të cilës Papa synon të nxisë dialogun dhe paqen ndërfetare. Teksa mbërriti në pallatin presidencial me automjetin e tij tipik, Françesku u përshëndet nga një skuadrilje e forcave ajrore të Emirateve, që lëshoi në qiell vija tymi të verdhë dhe të bardhë, që janë dhe ngjyrat e flamurit të Vatikanit.
Brenda kompleksit, me një sipërfaqe prej 150 hektarë i mbushur nga ndërtesa, lulishte dhe shatërvane, Ati i Shenjtë zhvilloi bisedime me princin e kurorës së Abu Dabit, Sheik Mohamed bin Zajed dhe liderë të tjerë të vendit. Duke shkruar në librin e mysafirëve të selisë presidenciale, ai uroi që Zoti t’i japë Emirateve të Bashkuara Arabe bekimin hyjnor të paqes dhe solidaritetit vllazëror. Vizita ndodh nën hijen e luftës në Jemen, vendi më i varfër i Gadishullit Arabik, ku ushtria e Emirateve ka një rol kyç në koalicionin që po lufton përkrah qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, që u rrëzua nga grupi pro-iranian Huthi. “Pasojat e luftës në Jemen dhe kudo tjetër në Lindjen e Mesme janë përpara syve tanë”, tha Papa pas takimit me liderët.
“Lufta nuk krijon gjë tjetër veç se mjerim. Armët nuk sjellin gjë tjetër veç vdekjes. I referohem këtu situatës në Jemen, Siri, Irak dhe Libi”, tha ati i shenjtë. Ai bëri thirrje për një bashkim kundër logjikës së përdorimit të armëve dhe forcës. Françesku pritet të mbajë fjalimin e tij të vetëm gjatë kësaj vizite ditën e martë, në një takim ndërfetar, pas një takimi në Xhaminë e Madhe Sheik Zajed, ndër më të mëdhatë në botën islamike. /abcnews.al