Sri Lanka planifikon t’i shlyejë borxhin Iranit me çaj

schedule07:18 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 07:18 - 23 Dhjetor, 2021

Sri Lanka planifikon t’i shlyejë me çaj një borxh Iranit që është krijuar nga importimi i naftës. Ministri Ramesh Pathirana deklaroi se shpreson që vendi i tij t’i dërgojë Iranit çaj me vlerë 5 milion dollarë çdo muaj, në mënyrë që të paguajë borxhin e krijuar prej 251 milion dollarësh.

Sri Lanka është në krizë ekonomike dhe situata është përkeqësuar dhe nga rënia e të ardhurave në sektorin turistik i cili është goditur nga pandemia. Një anëtar i Bordit Kombëtar të Çajit deklaroi se është hera e parë në historinë e vendit që përdoret çaji për të paguar borxhet.

Ministri tha se mënyra e pagesës nuk shkel politikat e Kombeve të Bashkuara dhe sanksionet e SHBA-së për shkak se çaji konsiderohet produkt ushqimor dhe që asnjë bankë iraniane që është vendosur në listën e zezë nuk do merrte pjesë në marrëveshje.

Sri Lanka duhet të paguajë një borxh prej 4,5 miliard dollarësh  vitin tjetër raporton “BBC”. Rezervat ndërkombëtare të vendit ranë në 1.6 miliard dollarë në fund të nëntorit. Guvernatori i Bankës Qendrore Ajith Nivard Cabraal deklaroi, që ishte i sigurt që mund ta paguanin borxhin brenda vitit 2022.

Sri Lanka prodhon 340 milion kg çaj në vit. Në vitin 2020 vendi eksportoi 265.5 milion kg çaj duke fituar 1.24 miliard dollarë nga shitja e tij. Afërsisht 5% e popullsisë në Sri Lanka është e punësuar në industrinë e çajit.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!