Kuvendi Kombëtar i thirrur nga kryetari i PD Lulzim Basha dhe me delegatë mbështetës të tij, përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga çdo funksion drejtues në parti, duke e lidhur me shpalljen “non grata”. Këtë vendim Besnik Mustafaj i ftuar në Abc Live e interpreton si tregues të pafuqisë politike të Bashës.
“Ai ishte një thellim i marrëzisë politike. Ishte një prerje kostumi sipas masës si puna e tenderave të qeverisë, më tregonte njëri që për të marrë subvencione përmes serave, thotë se serat duhet të jenë 1 metër e 74, në këtë kuptim kjo mënyrë formulimi duket se është qartë për Berishën. Berisha nuk ka asnjë funksion përveçse deputet, atëherë përse e përjashton. Kjo ishte një ndërmarrje e panevojshme dhe e dëmshme që tregon se sa i pafuqishëm është politikisht Basha”, tha Mustafaj.
Ai tha se Berisha nuk duhet të bëjë grup parlamentar më vete, ndërsa e ka quajtur Bashën të defaktorizuar pas Kuvendit të 11 dhjetorit.
“Pjesa e legjitimitetit është si ta marrësh, ta jep anëtarësia, anëtarësia dha Berishës. Për të marrë pjesë në zgjedhje mjafton të jetë një deputet. Qëllimi është për të arritur një bashkim. Protestat janë të domosdoshme që tregojnë tehun kryesor ku drejtohet lufta politike, bëhen kundër qeverisë… etj. Basha përpiqet të bëjë protagonistin edhe kur s’e ka kontekstin, për të brë protagonistin duhet të kesh një kontekst. Basha është defaktorizuar dhe nuk është i aftë të kuptojë gjendjen e tij dhe shfrytëzohet nga kundërshtari. Për sa kohë Berisha këmbëngul te fakti që PD nuk do ndahet nuk duhet në asnjë mënyrë të kishte një grup parlamentar më vete. Në këtë kuptim grupi parlamentar duhet të ruajë kompaktësinë. Unë mendoj se grupi parlamentar nuk duhet të përçahet të gjithë të jenë bashkë”.
Teksa ka folur për protestën e organizuar dje nga ish-kryeministri Berisha kundër nismës “Open Balkan”, Mustafaj thotë se ishte absurd fakti që Basha dhe përkrahësit e tij dolën kundër.
“Për mua është e rëndësishme të kuptojmë arsyen pse Berisha e thirri një protestë të tillë. Unë besoj se kjo protestë kishte më shumë domethënie për rikthim te ai konservatorizmi që zhvilloi Berisha sesa të tjera, pati rikthim te patriotizmi. Tani çdo gjë mund të interpretohet si kundër Bashës. Çdo deklaratë e tyre do të interpretohet si kundër Bashës, kjo nuk është çudi, çudi është si guxon Basha dhe deputetët të shprehen kundër një proteste të PD. Kjo është një absurditet dhe tregues se kujt i interesonte degradimi i protestës. Ramës dhe Vuçiç. Ata do duhej të bashkoheshin me çdolloj proteste. Për mua ky është një tregues i mendje-ngushtësisë i Bashës. Për mua ky është një manovër që bëhet për ta devijuar qëllimin e luftës politike që ka Komisioni i Rithemelimit. Basha në njëfarë mase të madhe është defaktorizuar, sidomos pas referendumit të 18 dhjetorit, është defaktorizuar për shkak të deklaratave të tij”, tha ai.
Incidentin me djegien e flamujve serbë, Mustafaj nuk e konsideron si diçka të bukur, por thekson se nuk duhet të merret si alarm pasi është një akt proteste.
“Pati arrestime dhe lirime në Beograd, kjo nuk është një gjë e bukur aq më tepër kur ai është në shtëpinë tënde. Djegia e flamujve nuk është një gjë e bukur por është një akt proteste, në vetvete djegia e flamurit ka qenë akt proteste në këto lloj protestash. Djegia e flamujve nuk është e bukur por nuk është një gjë që duhet të merret me alarm nga diplomacia dhe politika e 2 vendeve”.
Dy liderët e grupimeve kundërshtare brenda forcës politike opozitare më të madhe në Shqipëri, Berisha dhe Basha, me vendimet e marra dhe sulmet e ndërsjellta po ecin drejt ndarjes. be.k/abcnews.al