Skënderbeu nuk përballon dot Kastriotin, pas dhunës ndaj lojtarëve të tij

schedule18:47 - 2 Shkurt, 2019

schedule 18:47 - 2 Shkurt, 2019

Kastrioti arriti një fitore të rëndësishme ndaj Skënderbeut, duke iu shmangut vendit të fundit në Superligë. Dueli besohet se u ndikua shumë nga ngjarjet përpara fillimit të ndeshjes.

E vështirë të luash pas dhunës. Futbollistët e Skënderbeut e vuajtën këtë në përballjen e Superligës ndaj Kastriotit, madje më shumë sesa mungesën e tyre të përvojës.

Përfundoi 2-1 për ata që ishin vendas në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës, ndërsa përpara fillimit të takimit, korçarët denoncuan agresionin e disa tifozëve ndaj tre lojtarëve të tyre.

E ashpër, edhe vetë loja, me vendasit që rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria, dhe me ndeshjen që u zhvillua në një terren jo të përshtatshëm për futboll.

Arbitri Juxhin Xhaja e pati të vështirë, ndërsa u kursye me kartonët e verdhë, kur mund të kishte dhënë edhe më shumë.

Sfida ishte e fortë dhe me raste për të dyja skuadrat, dhe rezultati fare mirë mund të kishte qenë i ndryshëm.

Golat, po ashtu, mund të kishin qenë më të shumtë sesa tre.

Vendasit e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli gjetën epërsinë e parë në minutën e 58-të, por kampionët nuk u dorëzuan për asnjë moment.

Barazuan dhjetë minuta para fundit, madje patën mundësi edhe që ta fitonin ndeshjen, por gabuan.

Pavarësisht nga tronditja për atmosferën në Fushë Krujë, gjashtë humbje radhazi nuk janë një rastësi, dhe Skënderbeu është një ekip krejt tjetër nga ai i sezoneve të kaluara.

Nuk thonë kot që, kur vjen e keqja, hapi derën.

Kastrioti, ndërkaq iu shkëput për momentin vendit të fundit, diçka e rëndësishme në garën për të mbijetuar.

Krutanët kanë 16 pikë, dhe janë pranë Luftëtarit të vendit të tretë nga fundit, si dhe jo shumë larg Tiranës.

Tensioni në Fushë Krujë, ndërkaq, ishte i lartë edhe gjatë ndeshjes. Vendasit patën pretendime për prekje të topit me dorë nga miqtë në rastin e golit të barazimit, dhe nuk mungoi presioni ndaj vëzhguesit Velçani dhe delegatit Pregja.

Për fat të keq, policia ishte brenda stadiumit dhe qendroi spektatore. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!