Enver Hoxha, kreu i komunistëve shqiptarë, në katër dekada pushtet, pushkatoi, detyroi të vetëvriteshin, burgosi dhe internoi shumicën e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
Shumëkush e barazon këtë sjellje me mendësinë e një diktatori, që flijonte shokët e vet sa herë që i rrezikohej pushteti apo sa herë që punët nuk i shkonin mirë.
Marrë rast pas rasti, në një dokumentar me dy seri, Abc/Story publikon të gjitha të dhënat që dokumentet dhe dëshmi të ndryshme mbështesin shkaqet e vërteta të ndëshkimeve, nisur nga vrasja me vetëvrasje e Nako Spirut, në vitin 1947 e deri te ekzekutimi i gjeneralëve të Ushtrisë më 1974.
Janë të dhëna që, në shumicë të tyre, sillen për herë të parë dhe që provojnë se arsyet për goditjet dhe eleminimet e bashkëpunëtorëve kanë qenë më të shumta.
Të dhëna që thonë se drejtues të lartë të Partisë e të Shtetit janë goditur e ekzekutuar për arsye që Enver Hoxha dhe kasta e tij e afërt, i quanin “shtetërore”, ka pasur goditje për shkaqe krejtësisht banale, por ka pasur edhe ndëshkime që nuk janë konfiguruar në mendjen e Enver Hoxhës, por që kanë lindur në mendjen e njerëzve të tij më të afërt, siç ishin Mehmet Shehu apo Hysni Kapo.
Në pjesën e dytë të dokumentarit, që do të shfaqet premierë të dielën në orën 19:45, për herë të parë vijnë të dokumentuara arsyet e eleminimeve të Kundëradmiralit të Flotës Ushtarake -Detare, Teme Sejko dhe Ministrit më jetëgjatë të Mbrojtjes, Beqir Balluku.
Përkundër historigrafisë zyrtare te deritanishme, Abc/Story vjen në përfundimin se Teme Sejko u bë kurban i moseleminimit të Bazës detare të Vlorës nga Nikita Hrushovi, ndërsa Beqir Balluku viktimë e një luftë për pushtet që nisi menjëherë sapo u mësuaa nga mjekët kinezë se Enver Hoxha nuk e kishte jetën të gjatë./ Abcnews.al