Nënshkruhet Memorandumi për bashkëpunim ndërmjet një pjese të partive në pushtet dhe partive të pakicave në Mal të Zi.
Nënshkruesit e Memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet një pjese të partive në pushtet dhe partive të pakicave e vlerësuan atë si një hap të madh përpara për Malin e Zi si shtet i qytetarëve. E tërë kjo ngjalli reagime të ashpra nga pjesa tjetër e partive në pushtet, Fronti Demokratik (DF) parti pro serbe dhe Demokratët, të cilët shprehën dyshimin se ky është një “pakt për shkarkimin e kësaj qeverie dhe tradhëti ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve”. Ata po ashtu vlerësuan se memorandumi është praktikisht hapi fillestar drejt rikompozimit të qeverisë në Mal të Zi dhe pakt për bashkëpunim me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), partinë e presidentit Millo Gjukanoviq. Memorandumi është nënshkruar nga parti, të cilat gjithsej kanë 14 deputetë në parlamentin e Malit të Zi.
Nënshkruesit janë Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviqit, Unioni Qytetar CIVIS, të cilët kanë katër deputetë Partia Popullore Socialiste me pesë mandate në parlament. Nga partitë e pakicave, Partia Boshnjake (PB) me tre deputetë dhe tri parti që bashkojnë shqiptarët në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, Forca dhe Partia Demokratike, të cilat kanë dy mandate.
Përmbajtja e Memorandumit dhe pritshmëritë e nënshkruesve
Memorandumi i detyron palët nënshkruese të bashkëpunojnë për pajtimin në Mal të Zi, ndërtimin e shtetit civil, respektimin e Kushtetutës, punën për depolitizimin e institucioneve për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, zhvillimin e fuqishëm ekonomik, ndërtimin e shtetit të mirëqënies dhe sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të minoriteteve dhe integrimin e tyre në institucione.
Memorandumi parashikon gjithashtu që palët nënshkruese të angazhohen për shtetin e qytetarëve me të drejta të barabarta, por edhe për një shtet, në të cilin nuk do të bëhet asnjë lloj revanshizmi.
Zëvensdëkryeministri Abazoviq: Mali i Zi meriton të çlirohet nga prangat e nacionalizmit dhe krimit të organizuar
Nënshkruesit e Memorandumit në konferencën për shtyp deklaruan se ky është një hap i madh përpara për Malin e Zi civil. Drejtuesi i Lëvizjes Qytetare Ura dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq tha, se qëllimi ishte krijimi i një bashkëpunimi më të madh politik midis subjekteve të ndryshme politike: “Ne duam të tregojmë se Mali i Zi civil ka se ku të mbështetet”, tha Abazovic, duke mohuar se aleanca e formuar është kundër qeverisë aktuale. “Ky nuk është një Memorandum për krijimin e një qeverie të pakicës, as nuk synon krijimin e një partie të re, për qëllime bashkëpunimi”, ka shtuar Abazoviq.
Për kryetarin e Partisë Popullore Socialiste Vladimir Jokoviq, i cili në zgjedhjet parlamentare kandidoi në koalicionin e kryesuar nga Fronti Demokratik dhe kryeministri Zdravko Krivokapiç, tha se memorandumi nuk ështe i drejtuar kundër askujt dhe u bëri thirrje partive të tjera që t’u bashkohen. ,,Kemi qeverinë aktuale dhe Memorandumi është hap me të cilin dëshirojmë një aleancë për të mirën e Malit të Zi ,,Spekulimet që kjo është qeveri kalimtare ose qeveria e ardhëshme e Malit të Zi, vijnë nga ata të cilët në këto momente nuk janë të pranishëm për bashkësinë ndërkombëtare si partner i përshtatshëm për bisedime dhe bashkëpunim,,
Ervin Ibrahimoviq, kryetar i partisë Boshnjake vlerësoi se Memorandumi do t’i kontribuojë stabilitetit ndëretnik. “Kjo konfirmon se boshnjakët dhe pakicat e tjera janë të gatshme që të shmangin distancën ndëretnike,” tha Ibrahimovic. “Për herë të parë, ne po realizojmë një lëvizje thelbësore politike që pasqyron mendimin evropian në Mal të Zi.”
Në tryezë janë përfaqësues të të gjitha etnive dhe të të gjitha feve dhe identiteteve,e kjo është mënyra e vetme e drejtë për pajtim”, u shpreh Srgjan Paviceviq nga Aleanca Civile. Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternativës Shqiptare, vlerësoi se me këtë është dërguar një mesazh dhe se u është dhënë fund përçarjeve dhe është marrë përgjegjësia për përmbushjen e qëllimit përfundimtar – të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Duke vënë në dukje se Mali i Zi është i ndarë në disa baza, kryetari i Forcës Genci Nimanbegu pret që memorandumi të sjellë shpresë tek të rinjtë shqiptarë se ka perspektivë për ta në Mal të Zi.
Ndërsa Fatmir Deka nga Partia Demokratike e Shqiptarëve deklaroi se pakicat kombëtare mbështesin fuqishëm rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. “Ky është një moment i rëndësishëm për rrjedhën e mëtejshme të ngjarjeve politike në Mal të Zi”, Memorandumi në kulmin e krizës politike Në Memorandum konstatohet, se Mali i Zi ndodhet në krizë politike, institucionale dhe krizë në sistemin shëndetësor dhe se përparimi i shoqërisë është paralizuar për shkak të ndarjeve të theksuara nacionale etnike, socio-ekonomike dhe politike. Për shkak të humbjes së mbështetjes në parlament nga ana e partive që e kanë zgjedhur, puna e qeverisë është bllokuar në masë të madhe, sidomos në drejtim të miratimit të dhjetëra ligjeve.
Shumica parlamentare e Frontit Demokratik pro serb, Demokratët dhe URA, zgjodhi qeverinë e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq me 41 vota. Por shumë shpejt ajo u bë objekt i kritikave të FD-së, të cilët kërkuan largimin e saj dhe hyrjen e zyrtarëve të Frontit Demokratik në qeveri.
Frontit Demokratik dhe Demokratët kritikojnë nënshkrimin e Memorandumit
Nënshkrimi i Memorandumit shkaktoi reagime të ashpra në Frontin Demokratik dhe Demokratëve në pushtet. Njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Nebojsha Medojeviq, e quajti atë akt të “pjesës së qeverisë dhe opozitës” memorandum për kapitullim dhe tradhëti. “Ky Memorandum është pajtimi i shtetit dhe popullit me korrupsionin dhe krimin. Më saktë akti politik i kapitullimit të shtetit para mafias. Ky akt i paarsyeshëm fut pandëshkueshmërinë në themelet e së ardhmes së Malit të Zi”, tha Medojeviq. Ai pretendon se Memorandumi, në pjesën ku përmendet moszbatimi i revanshizmit, në fakt i jep garanci presidentit Milo Gjukanoviq se ai nuk do të ndiqet penalisht.
Partia Mali i Zi Demokratik vlerësoi, se Memorandumi është një pakt për bashkëpunim me Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanpoviqit.
Opozita e mirëpret Memorandumin
Partia Socialdemokrate (SDP) opozitare përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit mes partive të pakicës dhe një pjese të partive të shumicës parlamentare. Memorandumi është gjithashtu një lëvizje e përgjegjshme dhe një kusht për socialdemokratët për ta tejkaluar krizën aktuale politike dhe institucionale, tha deputeti Damir Sheoviq, duke theksuar se qytetarët kanë qenë peng të krizës në Mal të Zi për gati 12 muaj.
Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit në opozitë ende nuk është deklaruar me rastin e nënshkrimit të Memorandumit. Nderkohë me një kumtesë ka dalë Kabineti i Kryeministrit Zdravko Krivokapiq, i cili partitë e pakicave i quan satelitë të Millo Gjukanoviqit./DW