Në stadiumin e Kukësit ka nisur puna për matjet sizmike, që lidhen me sigurinë ndaj tërmeteve. Impianti nuk pritet të jetë gati përpara fundit të këtij viti. Do të duhet kohë që të përfundojë, por po hidhet edhe një hap tjetër. Pjesë e projektit për stadiumin e rindërtuar të Kukësit janë edhe matjet sizmike, pra ato që kanë lidhje me sigurinë e impiantit në rast tërmeti.
Specialistët kanë filluar studimin e fizibilitetit, duke marrë mostra të terrenit ku do të ndërtohen tribunat e reja, mostra që do të studiohen në laborator, për të përcaktuar gjendjen e tokës që do të mbajë peshën e tyre. Rezultati që do të dalë nga analizat, do të përcaktojë sesi duhet ndërtuar stadiumi, për të qenë i sigurt.
Stadiumi do të jetë rreth 6 000 vende, dhe do të kushtojë afërsisht 6 milionë euro, me investim të barabartë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të qeverisë. Parashikohet rindërtimin e pjesshëm të tribunës kryesore, rindërtim të tribunave të tjera, krijim të kushteve sanitare, të parkingut dhe rregullim të rrugëve që të sjellin dhe të largojnë nga stadiumi.
Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se, sipas të gjitha gjasave, stadium nuk do të jetë gati përpara fundit të vitit. Kukësi, pra, do të luajë jashtë fushe, jo vetëm deri në fund të këtij sezoni, por edhe për gjysmën e edicionit të ardhshëm./abcnews.al