Policia në Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Autostrada” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Me finalizimin e këtij operacioni është goditur një grup kriminal anëtarët e të cilit vidhnin kasaforta në biznese të ndryshme në zonën e autostradës.
Në pranga janë vënë tre persona dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë ndërsa janë zbardhur dhe dokumentuar 7 raste të vjedhjeve të kasafortave në biznese, të cilat dyshohen se janë kryer prej tyre.
Në flagrancë ndërsa tentonin të kryenin vjedhje në një biznes në autostradë janë arrestuar Ilir (Mikel) Boja, 47 vjeç, i dënuar më parë për”Armëmbajtja pa leje”; Elton Tafa (Beu), 39 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Egzon Mhilli (Murati), 27 vjeç.
Kurse, bashkëpunëtorët e tyre K. A. (M)., 32 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, A. K., 29 vjeç; F. D. (P.) 25 vjeç janë shpallur në kërkim. Kurse janë proceduar penalisht për moskallëzim të krimit dhe përkrahje të autorit Z. T., 58 vjeç dhe shtetasja L. Sh., 38 vjeçe.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se personat e përmendur më sipër janë autorë të 7 rasteve të vjedhjeve dhe tentativa vjedhjesh të kasafortave në biznese, konkretisht:
* Më datë 06.06.2021, në Kodër Mëzes, në një firmë, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën me një shumë parash;
* Më datë 12.08.2021, në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë vjedhur disa pajisje topografike;
* Më datë 18.08.2021, në një qendër tregtare, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e magazinës ku kanë marrë një shumë parash;
* Më datë 30.08.2021, në një firmë dyshohet se kanë vjedhur një shume parash;
* Më datë 17.03.2021, në rrugën “Vangjel Noti”, dyshohet se kanë vjedhur disa medikamente mjekësore në një firmë;
* Më datë 26.11.2021, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin kasafortën në një firmë.
Ndërkohë, nga hetimet e kryera, rezulton se K. A. (M)., në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash në një banesë në zonën e Gjirit të Lalzit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishekë luftarakë, mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 automjet dhe 8 aparate celularë. /abcnews.al/