Në mbrëmjën e 26 nëntorit vendi u trondit nga vrasja e tre personave në Gllogjan të Deçanit. Autobusi që po qarkullonte nga Gjakova për në Gllogjan u sulmua me kallashnikov me ç’rast u vra shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Prokurorja e çështjes tha se në drejtim të autobusit u zbarz pothuajse një karikator. Pas 15 ditësh, organet e rendit kanë prangosur tre persona të dyshuar për këtë rast dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Kjo u bë e ditur mbrëmë me anë të një konference të jashtëzakonshme të organizuar nga Prokuroria Themelore e Pejës. Mirëpo gazetarët nuk u lejuan të bënin pyetje, ani pse në media dolën verisione të ndryshme rreth motivit që dyshohet se la të vdekur tre persona.
Para mediave u paraqit kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës Agim Kurmehaj.
Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.
“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas konferencës për media nga Prokuroria e Shtetit ku u njoftua se janë arrestuar tre persona për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshehet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili.
Ndërsa kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj i ka përgëzuar organet e rendit për arrestimin e tre personave.
“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan!” shkroi Ramosaj.
Sipas raportimeve tre të arrestuarit janë familjarë të një vajze nga Gllogjani që kishte bërë vetëvrasje në vitin 2020.
Sipas “Paparacit”, dyshohet se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze (emër i njohur për redaksinë) nga Gllogjani. Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.
Por këto raportime nuk janë konfirmuar akoma nga organet e rendit.
Për vetëvrasjen e vajzes dhe studentes së shkëlqyer ishte shpehur i tronditur atë kohë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj./Express