Nga Agim Baçi
“Një shoqëri postmoderne e njeh veten nëpërmjet imazhit që vjen nga syri i kamerës”, shprehet një nga njohësit dhe shpjeguesit më të rëndësishëm të filozofisë së komunikimit të sotëm, francezi Zhan Baudrillard.
Ai parashikon një botë që do të vijë gjithnjë e më shumë të mbushet me imitime, ku njeriu shpesh rrezikon të jetë veçse pasqyrim i aktrimit të tij dhe ku idetë nuk do kenë dot vendin e tyre në përditshmërinë tonë.
Kjo situatë i kthen shumicën e qytetarëve jo në individë që mendojnë vetë, por në enë që kërkojnë të mbushen, të riformatohen. Këtë situatë e ka përdorur më mirë se kushdo politika, e cila i trajton shumicën e qytetarëve si soditës të zellshëm të imazhit që ajo prodhon në median tradicionale dhe në rrjetet sociale.
Përballë një situate të tillë nuk mund të flasim lehtë as për të drejtën e as për një perspektivë morale. Madje, profesori i Sociologjisë në Universitetin Ilinois, SHBA, Norman K. Denzin, thotë se “shoqëritë sot rrezikohen nga një pornografi e së dukshmes dhe një përjetim i fuqishëm i formuar nga ankthi, tjetërsimi dhe pakënaqësia”.
Sipas tij, shkëputja nga provincat apo vendlindja e shumë njerëzve për t’iu drejtuar metropoleve ka koston e imitimit dhe kësaj pornografie të së dukshmes, një “pornografi” që ka lulëzuar sidomos në fundin e shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e këtij shekulli. A nuk janë shumica e familjeve në dilemë të madhe sot se ku mbaron ajo që duhet t’i ndalojmë dhe ajo që duhet t’u lejojmë fëmijëve, duke parë se sa presion ushtron mbi ta kjo pornografi e së dukshmes?
A nuk janë në dilemë sot dhjetëra e dhjetëra prindër për mënyrën sesi duhet t’u flasin fëmijëve për të vërtetën, për të drejtën, për të moralshmen dhe të ndaluarën?
Kjo shoqëri që i është nënshtruar fuqisë së imazhit, rrezikon që më së pari të nëpërkëmbë ata që nuk arrijnë të kuptojnë problemet serioze, me të cilat ndeshen në përditshmëri. Mjaft prej atyre që janë nën efektet e imazhit që vjen nga syri i kamerës shfaqen të paaftë për të kuptuar nëse janë përgjegjës përpara së vërtetës apo duhet të jenë të tillë përpara pushtetit.
Por, kush mund ta ndalojë këtë fuqi të imazhit, që, në vend të informimit, ka qëllim nënshtrimin, manipulimin? A janë intelektualët ata që duhet të na drejtojnë, apo nevojitet një gërshetim mes tyre dhe elitës fetare, që zgjimit të ideve të mos u mungojë e moralshmja, e drejta, e vërteta?
Fatkeqësisht, elitat, prej shumë kohësh, janë në atë djerrinë morale, që filozofi dhe kritiku francez, Zhylien Benda, e cilësoi njëqind vite më parë si “Tradhtia e intelektualëve”. Ai parashikoi se e keqja e shoqërive do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza. Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin.
Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre. Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.
Në këtë betejë kanë kaluar në thuajse në mosqënie edhe autoritetet fetare, të cilët nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’u përballur publikisht me shqetësimet e sotme të shoqërisë. Ata kanë mbetur peng i së shkuarës së fitoreve historike dhe thirrjet e tyre janë si në fundin e një shpelle, ku i dëgjohet jehona, por jo fuqia e vërtetë e asaj që dëshirojnë të thonë.
Madje, me përfaqësuesit e institucioneve të së shenjtës është krijuar një situatë cinike, pasi janë kthyer në koncepte muzeale të shoqërisë, pasi në mënyrë krejt të hapur kthehen në panair vizitorësh vetëm në raste festash, ndërkohë që në përditshmërinë tonë zëri i tyre është i papërfillshëm.
Pra, në këtë kryqëzim, ku as elitat intelektuale e as ato fetare nuk mundet dot të frenojnë këtë dëshirë për argëtim – që nuk është veçse një dëshirë për t’iu larguar realitetit dhe vetes- manipulimi i mendjes do bëhet një art gjithnjë e më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetët tona. Kjo, edhe për faktin se mosdëgjimi i zërit të tyre i ka zhdukur kufijtë mes së mirës e së keqes dhe mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Një zhdukje e tillë kufiri na sjell në skenë atë njeri të parashikuar nga shkrimtari i madh Dostojevski, “njeriun që nuk do të ketë turp nga asgjë”.
Dhe njeriu që nuk ka turp nga asgjë, është njeriu që me shumë kënaqësi i ikën së vërtetës për të jetuar në argëtim, në harresë. Për një njeri të tillë, debati moral nuk ekziston dhe pyetjet që kanë dominuar që në fillesat e saj botën, si “Përse ia vlen të rrojmë?”, “Përse të vdesim?”, “Çfarë është e shenjtë?”, “Çfarë është e drejtë?”, rrezikojnë të përfundojnë në një muze të së shkuarës.
Për të shpëtuar nga kjo djerrinë, është e rëndësishme të gjejmë shtegun e pyetjeve morale. Kjo nuk do të thotë të shmangim komunikimin, por në syrin e kamerës të mos lejojmë të fitojë imitimi, por të bëjmë çdo përpjekje që të triumfojë bindja se njeriu është i lirë.
Të paktën, elitat fetare kanë detyrë që të gjejnë çdo hapësirë për t’i kujtuar njeriut se nga çdo krijesë tjetër e dallon liria për të vendosur, liria për të gjykuar. Dhe këto elita duhet t’u drejtohen sidomos atyre që paguhen për të edukuar brezat. /abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!