Erdhi edhe dita për të cilën kishte menduar gjatë. Një futbolliste shqiptare debutoi në Serinë A, njërin prej kampionateve më të fortë të Europës, në moshën 18-vjeçare.
Quhet Alma Hilaj, lindur në vitin 2000, dhe pjesë e skuadrës së Florentias. Me numrin 15 në shpinë, vajza e re provoi emocionet e para në nivelin elitë në Itali, ndonëse debutimi nuk qëlloi në një ndeshje aq të favorshme.
Florentia u mund 0-5 në fushën e Kievos së Veronës, ndërsa dihet mirë se në futbollin e femrave, diferenca mes ekipeve është edhe më e madhe sesa tek meshkujt. Gjithsesi, këtë sezon, Florentia ka arritur edhe rezultate pozitive, si barazimi me Milanin, pretendent për titull, dhe mban vendin e pestë në renditje.
Trajneri Stefano Karobi ka besim tek talenti I shqiptares adoleshente, dhe beson se ajo do të jetë e rëndësishme për skuadrën e tij. Alma lindi në fshatin Pistull në Shkodër, në Shqipëri luajti për ekipin e Juban Danjës, ndërsa më pas kaloi në Itali. Atje luajti prej disa vitesh me ekipin e të rejave të Florentias, dhe më pas nënshkroi kontratë me klubin, duke kaluar në skuadrën e të rriturave, që aktivizohet në Serinë A. Hilaj është edhe pjesë e kombëtares U19./abcnews.al