“Llum toksik”, fituesja e Nobelit për Paqen sulmon mediat sociale

schedule20:54 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 20:54 - 10 Dhjetor, 2021

Një nga fitueset e çmimit Nobel të Paqes të këtij viti ka sulmuar kompanitë amerikane të internetit për atë që ajo e quajti një “përmbytje llumi toksik”, duke iu referuar mediave sociale.

Gjatë fjalimit të saj në Norvegji, gazetarja filipinase Maria Ressa tha se gjigantët e teknologjisë kishin “lejuar që një virus gënjeshtër të infektonte secilin prej nesh”.

Ressa, bashkëthemeluese e faqes së lajmeve Rappler, akuzoi faqet si Facebook për përfitime nga përhapja e urrejtjes. 58-vjeçarja po iu drejtohej të ftuarve në një ceremoni në kryeqytetin Oslo.

Ajo vazhdoi të akuzonte gjigantët amerikanë të internetit se ishin “të njëanshëm kundër fakteve dhe gazetarëve” dhe se përdorin “fuqinë e tyre si Zoti” për të mbjellë ndarje.

“Nevoja jonë më e madhe sot është të transformojmë atë urrejtje dhe dhunë, llumin toksik që rrjedh nëpër ekosistemin tonë të informacionit,” tha ajo.

Kompania mëmë e Facebook, Meta, kohët e fundit njoftoi se po prezantonte veçori të reja për t’u dhënë njerëzve më shumë kontroll mbi atë që shfaqet në burimet e tyre të lajmeve. Rrjeti social ka qenë nën një shqyrtim intensiv vitet e fundit për mënyrën sesi algoritmet e tij promovojnë përmbajtjen. g.v/abcnews.al