Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ankimuar vendimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda për zgjatjen me 3 muaj të hetimeve ndaj tij. Sipas Tahirit, vendimi i datës 17 Janar 2019 është i pabazuar në ligj dhe në prova, që ka si qëllim zvarritjen e hetimit dhe vonimin e dhënies së drejtësisë.
Në ankimin e përpiluar nga avokati i ish-ministrit, Maksim Haxhia, Prokuroria për Krimet e Rënda ka pasur të gjithë mundësitë kohore për t’i përfunduar hetimet. Shtyrja e fundit e hetimeve për Tahirin është e pesta në radhë nga nisja e procedimit penal ndaj tij.
Koha shtesë, sipas prokurorëve, nevojitet për pritjen e një letër-porosie nga Mali i Zi dhe një tjetre nga autoritetet italiane të drejtësisë. Ish-ministri Tahiri po hetohet për “trafik të lëndëve narkotike”, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsion”. /abcnews.al