Jose Mourinho ka gjithmonë diçka të veçantë për të shprehur në daljet e tij publike. Roma luan nesër takimin e fundit të fazës së grupeve në Conference League. Ekipi i “Special One” do të udhëtojë drejt Bullgarisë për t’u ndeshur me CSKA Sofia.
Kualifikimi është arritur, por Roma do synojë fitoren dhe vendin e parë në grupin C, me shpresën se Bodo/Glimt do të gabojë (kampionët e Norvegjisë kryesojnë me një gol më shumë).
Verdhekuqtë po kalojnë një moment të vështirë sa i përket dëmtimeve dhe rotacioni do të jetë masiv për duelin në tokën bullgare, teksa Mourinho ëndërron të fitojë këtë kompeticion, finalja e të cilit do të zhvillohet në “Air Albania”.
“Asnjë nga lojtarët që munguan ndaj Interit për shkaqe dëmtimesh, nuk është rikuperuar për nesër. Do të lëmë pushim edhe ndonjë lojtar tjetër, pasi na presin shumë ndeshje, kemi shumë lojtarë me probleme fizike dhe nuk mund të rrezikojmë me të gjithë.
Gjithsesi, ne do të zbresim në fushë me skuadrën më të fortë të mundshme. E respektojmë CSKA, por objektivi ynë nuk ndryshon, duam të fitojmë ndeshjen”, deklaron trajneri luzitan, i cili më pas ndalet te vetja e tij.
“Nuk mendoj se kam ndryshuar shumë, pasi kam akoma të njëjtin pasion dhe ambicie për të fituar ndeshje e trofe. Ndoshta jam bërë disi më tip i qetë dhe ekspert, sidomos në përjetimin e situatave të ndryshme me të cilat përballesh gjatë një sezoni.
Në sezonin e paharrueshëm me Porton ëndërroja të fitoja Champions League, sot ëndërroj të triumfoj në Conference League. Janë dy turne të ndryshme, por ne po garojmë këtu ku jemi.
Sigurisht që do të ishte diçka historike të fitonim kompeticionin e parë të Conference League, por të shohim se deri ku mund të arrijmë”, theksoi trajneri i skuadrës italiane.