Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pasi Millan Radoiçiç, Zvonko Vesellinoviç dhe 11 persona të tjerë , të gjithë serbë nga veriu i Kosovës, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Presidenti serb ka deklaruar se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka. Megjithatë, sipas tij nuk ka akuza serioze kundër tyre. Në një konferencë për media, Vuçiç tha se ka pranuar një raport joformal nga Ambasada amerikane rreth këtij vendimi.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiç.
Më tej ai shtoi se druan “që një dokument të këtillë do të mund të pranojë edhe për disa njerëz në funksione shumë më të larta në rajon”.
“Atëherë a do të reagojmë ashtu? Gjithçka që pranojmë me çfarëdo treguesi se dikush ka kryer ndonjë vepër penale, organet tona përgjegjëse do të jenë të gatshme që në po atë moment të verifikojnë gjithçka” tha Vuçiç.
Vuçiç njëkohësisht mohoi që Partia Përparimtare Serbe (SNS), në krye të së cilës është, ka marrë para nga, Zvonko Vesellinoviç.
“Asnjë dinarë nuk na ka dhënë, sa më përket mua për të tjerët nuk e di. Partia të cilën e udhëheqi ka më shumë se mjaftueshëm para falë mjeteve shtetërore dhe anëtarësimit. Këto janë burimet tona kryesore. Kurrfarë nevoje nuk kemi për çfarëdo para tjera”, përfundoi Vuçiç.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vënë në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe, ndryshe partisë kryesore serbë në Kosovë, MIllan Radoiçiq, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.
Sakaq, sanksionet e amerikanëve janë përshëndetur nga krerët e shtetit në Kosovë.