24 firmat e përjashtuara nga tenderat

schedule15:34 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 15:34 - 8 Dhjetor, 2021

Numri i operatorëve ekonomikë që nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në tenderët publikë ka arritur në 24 deri në dhjetor sipas publikimit periodik të bërë nga Agjencia e Prokurimit Publik(APP).

Referuar listës së zbardhur çdo javë nga APP pjesa më e madhe e të përjashtuarve i takojnë këtij viti me rreth 16 subjekte ndërkohë që pjesa tjetër janë operatorë që kanë humbur të drejtën qysh vitin e shkuar pasi janë ndëshkuar me një afat më të gjatë përjashtimi.

Përjashtimi nga tenderët publikë i operatorëve ekonomikë mund të bëhet për afate të ndryshme që variojnë nga 3 muaj në 3 vjet dhe kjo bëhet nga APP pas sinjalizimeve që merren. Edhe më herët APP ne përmbledhjen vjetore të aktivitetit të saj ka nënvizuar se shkak për përjashtimet bëhen keqinformimit dhe paraqitja në tender e dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme, sipas përcaktimeve që bëhen në ligjin respektiv të prokurimeve. Në të tjerë raste operatorët mund të jenë përjashtuar pasi kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi, autoritetin kontraktor dhe në të tjera shkak është keqinformimi duke paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi.

Sa i takon dokumentacionit APP vëren se në të kaluarën keqinformimi është bërë përmes paraqitjes në tender të deklaratës së gjendjes gjyqësore, ku shoqëria ka deklaruar se nuk është dënuar për shkelje penale, keqinformim sa i takon informacionit të dhënë në vetdeklarimin e operatorit ekonomik mbi mosangazhimin e inxhinierëve të stafit të tij apo drejtuesit teknik në kontrata të tjera, keqinformim sa i takon vet deklarimit nga operatori ekonomik se ka paguar detyrimet tatimore, ndërkohë që nga verifikimi i kryer pranë organeve tatimore ka rezultuar se subjekti ka pasur detyrime të papaguara.

Por teksa plotësimi i dokumentacionit teknik-ligjor është njëra anë, zbatimi i kontratës është një tjetër që mund të shërbejë si shkak për përjashtimin kur operatorët nuk përmbushin detyrimet kontraktuale. Zakonisht sipas APP kjo ndodh më shumë në kontrata me vlerë të vogël. /Monitor