Hidhet shorti, Shqipëria U-19 ndjeh rivalët e eliminatoreve të Europianit 2022-2023

schedule11:50 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 11:50 - 8 Dhjetor, 2021

Shqipëria U-19 është njohur sot me rivalët që do të ketë përballë në eliminatoret e Europianit 2022-2023 në shortin e hedhur sot nga UEFA.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu është shortuar në Grupin 7 ku përballë do të ketë Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë. Pas konsultimeve mes federatave dhe UEFA-s është vendosur që ndeshjet e eliminatoreve të Grupit 7 të Shqipërisë në Europianin U-19 do të luhen në Belgjikë në datat 21, 24 dhe 27 shtator 2022. Në bazë të rregullores dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë të eliminatoreve.

Shorti përcaktoi 13 grupe me nga 4 skuadra, ndërsa faza finale e turneut do të zhvillohet në Maltë.

Pas hedhjes së shortit, trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, Armando Cungu, u shpreh për Fshf.org se është i ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarëve, por do të synojë që të marrë maksimumin nga këto eliminatore.

“Sigurisht kemi përballë skuadra të një niveli të lartë. Sidoqoftë, ne do të përgatitemi të bëjmë paraqitje sa më të mira dhe të tregojmë vlerat e futbollit shqiptar. Që nesër do të nisim punën për të njohur sa më mirë kundërshtarët dhe t’i analizojmë në detaje. Nëse flasim për objektiva, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe duhet të jemi ndërgjegjshëm për mundësitë që kemi ne”, – tha Cungu, duke theksuar se objektivi kryesor është përgatitja e sa më shumë elementëve cilësorë që nesër mund të jenë pjesë e Kombëtares A.

“Ajo që më intereson mua si trajner është të grumbullojmë e të rrisim sa më shumë lojtarë cilësorë që do t’i shërbejnë në të ardhmen Kombëtares A. Ky është objektivi primar, ndërsa objektivi i dytë është marrja e rezultateve pozitive. Nuk do të shkojmë në Belgjikë për turizëm, kjo është e sigurt, por shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të marrë rezultate pozitive, pasi në fund të fundit në futboll çdo gjë mund të ndodhë”, – deklaroi trajneri i Kombëtares U-19.  /f.a/abcnews.al