Kosova dhe Shqipëria më afër integrimit të tregut të përbashkët energjetik

schedule20:53 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 20:53 - 7 Dhjetor, 2021

Rregullatorët e energjisë të Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan të martën në Prishtinë një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të licencave për tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike. Kryesuesit e bordeve të rregullatorëve të të dyja vendeve thanë se ky është një hap drejt bashkimit të tregut energjetik.

“Kosova dhe Shqipëria me zbatimin e këtij procesi konfirmojnë gatishmërinë e tyre për integrimin e tregjeve si një nga obligimet themelore të komunitetit të energjisë”, tha kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovës, Ymer Fejzullahu.

“Rritja e çmimeve ka pasur një efekt në ekonomitë e rajonit si dhe përkeqësimin e financave të kompanive publike që sigurojnë furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve fundor, në tregun rregulluar e cila do të ketë efekte në konsumatorin qoftë nëpërmjet tarifave apo ndërhyrjeve tjera financiare të qeverive”, tha kryesuesi i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti.

Ministrja e Ekonomisë në qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli tha se integrimi i tregut të energjisë me atë të Shqipërisë është një ndër synimet thelbësore strategjike të qeverisë për këtë sektor.

“Duke qenë që kapacitetet tona gjeneruese vijnë nga burimet e ndryshme, integrimi i tregut të energjisë do të lejojë që të shfrytëzojmë burimet që kemi secili prej nesh në mënyrë më optimale. Si rrjedhojë, sistemet tona do të bëhen më të afta për të përballuar luhatjen në kërkesat për energji elektrike në të vendet tona”, tha ajo.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në qeverinë e Shqipërisë, Ilir Bejtja, tha se nga bashkimi i tregut të energjisë do të përfitojnë të dyja vendet.

“Kjo do të bëj të mundur që të kemi investime të reja në fushën e energjive të rinovueshme për të rritur dhe diverssifikuar prodhimin e energjisë në të dy krahët e kufirit, në këtë treg shqiptar të energjisë dhe do të bëj të mundur që këtu të vijnë investime ose interesa të vendeve fqinje për t’u furnizuar me energji por edhe për të sjellë energji nga burimet e tyre”, tha ai.

Udhëheqësi i ekipit për energji në USAID, Louay Samouie tha se procesi i bashkimit të tregut energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka potencialin për të ripërcaktuar perspektivën e energjisë në të dy vendet.

“Një treg i dyfishtë pritet të sjellë përfitime ekonomike për të dy vendet dhe të përmirësojë sigurinë energjetike për rajonin duke nxitur konkurrencën, rritjen e likuiditetit dhe mundëson një shfrytëzim më efikas të burimeve të prodhimit”, tha ai.

Përfaqësuesit e dy vendeve thanë se Kosova dhe Shqipëria duhet të rrisin investimet në energjinë e ripërtërishme pasi që të dyja vendet varen nga një burim i prodhimit të energjisë. Ata thanë se bashkimi i tregjeve do të ulë kostot dhe do të rrisë eficencën e energjisë, posaçërisht në një kohë kur të dyja vendet po përballen me çmime shumë të larta të importit të energjisë, për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet botërore./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!