Bledi Shkëmbi, trajneri i Dinamos, pas ndeshjes me Teutën, në emisionin Gol pas Goli në Superport tha: “Vuajtëm shumë në pjesën e parë dhe Teuta mund të na ndëshkonte që në fillim, por për fat Bakaj na ndihmoi të ruajmë portën. Në pjesën e dytë menduam që fituam qetësi dhe agresivitet në mesfushë me Sidiben, por u goditëm në një moment shumë delikat dhe nuk arritëm të shënojmë, ndonëse patëm një farë reagimi dhe disa raste.
Unë mendoj se ne mund dhe duhet ta ndryshojmë këtë situatë. Në të gjithë ndeshjet kemi pasur grupin e cunguar, pasi vetëm sot na u kthyen 4-5 lojtarë dhe jam i bindur që nga java e ardhshme do të jemi më të fortë, por nuk diskutohet që po kalojmë një moment të keq dhe nga kjo situatë dilet vetëm duke fituar ndeshjen pasardhëse”.
“Patjetër që mendja shkon te merkatoja e janarit, por unë mendoj shumë më shumë për rikthimin e futbollistëve të dëmtuar dhe atyre që kemi aktualisht në grup. Edhe merkatoja do të jetë në varësi të asaj çka do të japim në këto ndeshje”.
“Kemi vuajtur shumë me lojtarët para mbrojtjes, pasi sidomos mungesa e Sidibes na ka vënë shumë në vështirësi. Kjo u pa edhe sot, pasi në pjesën e dytë me Sidiben patëm shumë qetësi dhe qarkullim topi. Nëse gjejmë një mesfushor tjetër në nivelin që ne e kërkojmë, patjetër që do të na bënte mirë”.
“Ne ishim dhe jemi të vetëdijshëm që nuk do të ishte e thjeshtë, por besuam që do të vinim duke u përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje. U ndërtuam nga zero, por e them me bindje që këto javë që po bëjmë keq, kemi vuajtur mungesat e alternativave dhe lojtarët e dëmtuar. Megjithatë disa lojtarë duhet të bëjnë më shumë dhe të kuptojnë më shumë për objektivat që ka klubi. Nuk mund të fshihet fakti që mund të ketë edhe largime, nëse vijnë lojtarë cilësorë në janar”.
‘Që nga ndeshja me Tiranën kemi evidentuar problemet me lojën pa top dhe gabimet në momentet e tranzicionit negativ. Jemi munduar dhe kemi analizuar situatat, por ndoshta edhe ndonjë mungesë e ndonjë titullari, ka bërë që të humbim ekuilibrat që na duhen në këto momente”. / abcnews.al