Kurti përfaqëson Kosovën me fusnotë në MSA, Borrell: Presim të luftoni krimin dhe korrupsionin

schedule14:32 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 14:32 - 7 Dhjetor, 2021

Kryeministri Kurti po përfaqëson Kosovën me fusnotë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës në Bruksel, raporton Gazeta Express.

Ky është takimi i katërt që mbahet mes Kosovës dhe BE-së sa i përket progresit të MSA-së.

Përpos kryeministrit Kurti në Bruksel kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

“Ne presim më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit, krimit te organizuar dhe administratës publike në Kosovë. Kosova dhe Serbia duhet të jenë më konstruktive në dialog, se “status-quo”-ja nuk i shërben askujt” tha Borrell.

“Ballkani Perëndimor duhet të ecë më shpejt drejt BE-së. Europa është fati ynë dhe nuk ka alternativë tjetër. Procesi i anëtarësimit duhet të jetë më konkret” u shpreh Kurti.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës./Gazeta Ekspres

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!