Në datë 11 Dhjetor Sali Berisha ka njoftuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar me qëllim shkarkimin e Lulzim Bashës dhe rikthimin në krye të Partia Demokratike pas 8 viteve.
Ish-kryeministri ka njoftuar më herët se janë më shumë se 4200 delegatë që kanë firmosur për mbledhjen e këtij forumi, që është më i lartë i partisë më të madhe në opozitë. Po ku do të zhvillohet Kuvendi?
“ABC” mëson se Kuvendi do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Fillimisht ishte planifikuar në Pallatin e Kongreseve. Por nisur nga fakti që në këtë datë, pra 11 Dhjetor në hollin e Pallatit të Kongreseve do të ketë një tjetër aktivitet, por edhe për të treguar forcën me numrin e mbështetësve, Berisha vendosi që ta çojë Kuvendin në stadium.
Njëri prej organizatorëve i tha “ABC”-së, se delegatët që do të identifikohen elektronikisht do të vendosen në një pjesë të veçantë të stadiumit dhe në krahun tjetër pjesa e militantëve.
7 ditë pas Kuvendit të organizuar nga ish-kryeministri, Lulzim Basha në 18 Dhjetor ka thirrur sërish Kuvendin e PD-së që sipas të gjitha gjasave do të përjashtojë Sali Berishën nga partia që themeloi 30 vite më parë./ Abcnews.al