Reshjet e dëborës që kanë rënë me intensitet të lartë gjatë natës së djeshme në zonat malore, kanë shkaktuar edhe problematikat e para në qarkun Beratit. Sipas Shtabit të Emergjencave në Prefekturën e Beratit, reshjet e dëborës janë shoqëruar me bllokime në disa rrugë fshatrash dhe mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra të tjerë malorë.
Rruga nacionale Berat-Skrapar është e kalueshme, ndërkohë që rruga drejt fshatrave: Potom, Baçkë, Leshnje, Gradec,Çukë dhe Qafë-Dërvi kalohet vetëm me zinxhirë. Burime nga Shtabi i Emergjencave bëjnë me dije se, në këto rrugë është duke u hedhur kripë për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në këto akse.
Të njëjtat burime konfirmojnë se për shkak të dëmtimit të fidrit elektrik të Potomit, prej më shumë se 24-orësh janë pa drita 4 fshatrat Leshnje, Gostenc, Kushovë dhe Faqekuq. Sipas konstatimeve në zonë, rruga më e vështirë për të qarkulluar është rruga Kapinovë-Tomorr, rruga drejt Teqesë së Abas Aliut dhe rruga drejt fshatit Novaj. /abcnews.al/