Piatek zyrtarizohet si lojtari më i ri i Milanit 

schedule22:44 - 24 Janar, 2019

schedule 22:44 - 24 Janar, 2019

Kristozof Piatek është prezantuar si futbollisti më i ri i skuadrës së Milanit. Në fjalën e tij, polaku premtoi se do t’i dërgojë kuqezinjtë në Champions League. Nga ana tjetër, Gonzalo Higuain starton aventurën te Chelsea.

Kristozof Piatek prezantohet te skuadra e tij e re, Milan. Talenti polak ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare që do ta mbajë të lidhur me kuqezinjtë deri në vitin 2025. 23-vjeçari i kushtoi arkave të Milanit plot 35 milionë Euro. Në fjalën e tij të parë si lojtar i Milanit, Piatek tha se kjo është një ëndërr e bërë realitet dhe do të japë maksimumin që Milani të rikthehet në Champions League.

“Është nder i madh për mua të luajë për skuadrën e Milanit. Nuk më tremb aspak kjo sfidë dhe unë jam i gatshëm për ta dërguar Milanin në Champions League. Kam ëndërruar gjithmonë për të luajtur me Milanin dhe besoj se do të lë gjurmë në këtë skuadër”, tha Piatek.

Afrimi i Piatek u pasua me largimin e Higuain drejt Chelsea-t. Argjentinasi ka firmosur për gjashtë muajt e ardhshëm me blutë e Londrës dhe në bazë të paraqitjeve të lojtarit, Chelsea do të vendosë rreth të ardhmes së tij. Në fjalën e tij, Higuain tha se ka ëndërruar gjithmonë të luajë në Angli dhe Chelsea është një skuadër e madhe. Ndër të tjera bomberi argjentinas tha se shpreson të përshtatet sa më shpejt me filozofinë e lojës angleze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!