Autoritetet britanike njoftuan këtë të enjte se përfunduan kërkimet për gjetjen e futbollistit Emiliano Sala pasi avioni me të cilin ai udhëtonte sëbashku me pilotin David Ibbotson u zhduk nga radarët të hënën. Pas tre ditësh kërkimesh në kanalin britanik, ekipet e kërkim-shpëtimit nuk mundën të gjejnë avionin. David Barker, një nga zyrtarët e policisë së Guersney tha se shanset që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar janë shumë të vogla.
“Pamë gjithë informacionin që kishim në dispozicion dhe morëm vendimin e vështirë për të përfunduar kërkimet. E kuptoj që familja e Emiliono Salas nuk është e lumtur me këtë vendim, por e mirëkuptoj këtë pjesë. Jam plotësisht i vetëdijshëm që nuk mund të bënim më shumë”, tha ai.
Por menjëherë sapo u njoftua lajmi, reagoi motra e Sala-s, Romina, e cila iu lut autoriteteve që të mos i ndalonin kërkimet.
“Ju lutem, ju lutem, ju lutem mos i ndaloni kërkimet. E kuptojmë që është e vështirë por mos i ndaloni kërkimet. Për ne, ata janë akoma gjallë. Është e vështirë të shprehim atë që ndjejmë tani pasi çdo gjë është e rëndë. Emiliano është luftëtar. Ju përgjërohem, mos ndaloni kërkimet për të. Kanë kaluar tre ditë dhe unë kam akoma shpresa se ai është gjallë”, u shpreh ajo mes lotësh.
Emiliano Sala u bë lojtari më i shtrenjtë që ka blerë ndonjëherë skuadra e Cardiff për një shifër prej 15 milionë Paundësh. Ai ishte rikthyer në Nantes të Francës për t’i dhënë përshëndetjen e fundit ish-lojtarëve të skuadrës, por kthimi në kryeqytetin e Uellsit u kthye në një tragjedi. Avioni me të cilin udhëtonte ai dhe piloti i avionit, Ibboston, u zhduk nga radarët në mbi kanalin britanik./abcnews.al