Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim publik në Elbasan për ligjin për Bashkëqeverisjen dhe platformën Antikorrupsion. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera kreu i qeverisë vuri theksin tek lehtësitë që kanë sjellë shërbimet online për qytetarët.
Sakaq, Rama tha se ligji i ri për Bashkëqeverisjen është i rëndësishëm pasi për herë të parë qytetarët mund të kërkojnë llogari për shërbimin.
“Pse ligji i ri është i rëndësishëm? Në këtë fazë të parë është e domosdoshme që ne tu japim qytetarëve në dorë mundësinë që të kërkojnë hesap për shërbimet. Një nga më problematikët është shërbimi për pronën. Por sot, çdokush mund të bëjë aplikimin për legalizim pa shkuar fare te Kadastra dhe në bazë të afatit të presë përgjigje. Edhe hipoteka të vinë në kompjuter pa pasur nevojë për letër fizike se është një proces që kërkon plotësim, që do të thotë regjistrim dixhital i çdonjërës prej miliona pronash, por është plotësisht e mundur që në momentin ke bërë aplikimin nga shtëpia dhe s’ke nevojë për mik dhe ke afatin e marrjes së përgjigjes, në atë moment ti ke në dorë me ligj një mekanizëm që e vë menjëherë në lëvizje administratën për të kthyer përgjigje.
Platforma e bashkëqeverisjes bën të mundur që çdo mosveprim nga ana e administratës dhe çdo mosreagim në kohë të lërë gjurmën e vet. por nëse deri dje kjo ishte një çështje që i mbetej thjesht qytetarit, sot menjëherë vë në veprim mekanizmin e kontrollit. Kjo është një çështje që në ligjin e ri përcaktohet si përgjegjësi e administratës. Dhe ligji i ri përcakton sanksione financiare.
Është një arsye tjetër që ne duam ta bëjmë këtë proces sensibilizimi për ligjin e ri se shumëkush nuk e shfrytëzon. Që është se nuk ka më detyrim, qytetari të plotësojë dosje për një kërkesë të vetme. Sot qytetari nuk e ka më këtë detyrim, për të gjitha dokumentat që lëshohen nga shteti. Bën kërkesën, aplikon pa dalë nga shtëpia fare.
E ke në dorë të vësh alarmin me ligj. Është e drejta jote me ligj. Jo vetëm që ti do marrsh të drejtën për atë shërbim që ke kërkuar por po me ligj personat dhe zyrat përgjegjëse sanksionohen financiarisht për dëmin që të kanë shkaktuar ”, deklaroi kryeministri. g.v/abcnews.al