Bizneset i përgjigjen thirrjes për rikonstruksionin e Qytetit Studenti

schedule14:41 - 23 Janar, 2019

schedule 14:41 - 23 Janar, 2019

Konviktet e Qytetit Studenti do të rikonstruktohen me ndihmën e sipërmarrjeve private. Më pas, shembja e 148 objekteve që kanë zaptuar territor në këtë qendër studentore, do t’i hapë rrugë ndërtimit të kampusit të ri universitar.

Bizneset i janë përgjigjur thirrjes së Kryeministrit dhe Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar në rikonstruksionin e godinave të konvikteve në “Qytetin Studenti”. Falë nismës “Adopto një konvikt”, sipas kreut te bashkise, deri në verë do të ketë përfunduar ndërhyrja në të gjitha hapësirat e përbashkëta të konvikteve, për t’i hapur rrugë më pas edhe ndërhyrjes në çdo dhomë.

“Dua të falenderoj të gjitha kompanitë që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit dhe bashkisë për të adoptuar një konvikt. Jemi në situatë emergjence, nuk mjafton të thuash hashtagun “Me studentët”, nëse nuk je gati vetë të bësh diçka. Për të gjithë ata që këtë thirrje e çuan në veprim konkret, ka vetëm mirënjohje, edhe nga unë, edhe në emër të kryeministrit dhe të Qeverisë. Deri në fund të muajit, me këtë sistem adoptimesh, ku një kompani merr përsipër një konvikt, do t’i kemi adoptuar të gjitha konviktet e “Qytetit Studenti”. Deri në verë, të gjitha hapësirat e përbashkëta, që janë nyjet higjieno-sanitare, sallat e leximit, banjot, fasadat, korridoret, hollet e tyre, do të kenë përfunduar, që pastaj t’i lihet radhë punës nëpër secilën dhomë të ‘Qytetit Studenti”.

Pas kësaj ndërhyrjeje emergjente, hapi i radhës, sipas kryebashkiakut Veliaj,  do të jetë lirimi i territoreve nga 148 zaptime në ‘Qytetin Studenti’, për t’i hapur rrugë fillimit të projektit për “Kampusin e ri Universitar”.

“Më vjen mirë që vetëm në pak ditë nga shpallja e Paktit me Universitetin nga Kryeministri, puna vlon në “Qytetin Studenti”. Jam i bindur se Kampusi i ri do të jetë realisht premtim i mbajtur, jo vetëm në kohë, por edhe me cilësi, kur vjen puna për t’i lënë një pajë një hapësire që i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, që nga vitet e para të demokracisë dhe ka marrë kaq pak në terma të vëmendjes publike”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Vasilika Hysi inspektoi punimet që po kryhen në godinat Nr. 20 dhe Nr. 21 ne Qytetin Studenti. /abcnews.al