Pas një dekade, dy artistët e njohur i këndojnë sërish Çamërisë

schedule09:25 - 29 Nëntor, 2021

schedule 09:25 - 29 Nëntor, 2021

Kur përmendim artistët e mirënjohur Enkeleda Arifi dhe Hysni Alushi kujtojmë “Mall për Çamërinë”, hitin e padiskutueshëm të një dekade më parë që bëri për vete çdo shqiptar. Ata vijnë sërish bashkë me një tjetër këngë kushtuar Çamërisë, e cila është publikuar ditën e djeshme dhe mban titullin “Le t’ia themi çamërisht”.

Për të folur për këtë projekt të ri, Enkeleda dhe Hysniu ishin të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfyen më shumë detaje. “Në tre minutat e para bëjmë histori, në gjysmën tjetër festojmë dhe gëzojmë”, tha Enkeleda.

“Dhe në ditën e promovimit të gjithë i kishte të fokusuar, të mbushur sytë me lot dhe kur fillonte pjesa e dytë e këngës, filluan të duartrokasin. Menjëherë i zgjoi ritmi”, shtoi ajo. Për herë të parë në klip janë përfshirë pamje origjinale nga destinacionet historike në Çamëri, si Kalaja e Qafës dhe Parga.

Hysniu u ndal dhe te kënga e tij shumë e pëlqyer, Nuse të përcjell babai, një dedikim për të bijën.“Në momentin kur erdhi krushqia, aty u lançua kënga. Një moment më është dridhur mjekra. Më pas e bukura  ka qenë se të gjithë njerëzit thoshin mirë atje që na bëre me qarë por na nxore dhe në TV. Ishte diçka e paparë.”, tregoi ai.

/abcnews.al