Policia e Tiranës njofton se ka nisur aksionin për vendosjen e gjobave për parkimet e gabuara. Vetëm këtë javë, thekson policia janë ndëshkuar me masa administrative për parkime të gabuara 3146 drejtues mjetesh. Policia apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve që të mos parkojnë mbi trotuar, në vija të bardha dhe në rresht të dytë.
“Krahas trafikut të ngarkuar, një nga shkaqet për situatën e rënduar në disa rrugë urbane kryesore dhe dytësore, janë edhe parkimet në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, shkelje të cilat manifestojnë jo vetëm paligjshmëri, por edhe papërgjshmëri në raport me respektimin e rregullave të bashkëjetesës në një komunitet.
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Tiranë në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve në varësi të DVP Tiranë janë angazhuar maksimalisht që rregullat e vendosura me Ligj, të zbatohen nga të gjithë, me qëllim krijimin e një mjedisi të qetë dhe rrugë më të sigurta e të disiplinuara për të gjitha kategoritë e përdoruesve të saj.
Përgjatë kësaj jave si rezultat i kontrollit të përbashkët dhe koordinimit të veprimeve edhe me Policinë Bashkiake, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe eleminimin e pengesave që sjellin trafikun e rënduar në rrugët e kryeqytetit, nga Policia Rrugore e DVP Tiranë janë ndëshkuar me masa administrative për parkime të gabuara 3146 automjete të ndryshme.
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Tiranë në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve në varësi të DVP Tiranë, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të mos parkojnë mbi trotuar, në vija të bardha, në rresht të dytë, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe të automjeteve , pasi do përballen me sanksionet administrative që parashikon Kodi Rrugor.
Nisur dhe nga fakti se në rrugë ka prezencë të lagështirës për shkak të motit me shi, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor pasi të gjitha rrugët monitorohen nga patrullat e policisë rrugore duke përdorur radarë, makinën inteligjente, dronë, kamera dhe aparate fotografikë si dhe ftohen qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri në rrugë” njofton policia./ Abcnews.al