Nga Edi Oga
Përplasja në Partinë Demokratike, nga ne, diletantët e politikës dhe përfaqësuesit e “zonës gri”, shihet si një dukuri pozitive, e cila i ngjan parabolës kineze të turbullimit të provokuar të ujit, që më pas kthjellimi të jetë sa më i qenësishëm!
Por a do të ndodhë vërtetë kështu?
A do të mund të kemi brenda këtij Dhjetori një Parti Demokratike pa konflikte, me ndryshime të pranuara nga të gjithë (lexo: shumica), me tendencë për t’u unifikuar pavarësisht ndasive momentale?
Në politikë nuk mund të thuash kurrë “jo”!
Nëse liderat në duel bien dakord dhe ulin armët, nëse humbësi i njeh tjetrit fitoren, të gjithë ata militantë që sot i hakërrohen njeri-tjetrit në rrjet, edhe me fjalor të padenjë, të nesërmen janë të gatshëm të harrojnë gjithçka dhe t’ia nisin nga fillimi!
Kjo nisje nga fillimi na duhet të gjithëve!
Opozita duhet të rikrijohet dhe të nisë nga puna!
Vendi ka nevojë për opozitë, saç ka nevojë për një post drejtori, një politikan hajdut me çizme!
Problemi është që askush nga liderat nuk po duket të përgatisë një plan dorëzimi!
Tashmë beteja e tyre ka kaluar në përdorimin e “armëve të ftohta”, ku termat e përdorur janë ose fjalë ofenduese, ose artikulime që mbartin akuza të rënda penale! Ato të parat përthithen “direkt” nga ndjekësit që kanë tendencë t’i “pasurojnë” me fjalor vulgar rruge, duke dhënë idenë e frikshme që ky konflikt brenda llojit nuk do të ndalë as përtej Dhjetorit! /abcnews.al