Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit ka paraqitur kallëzim penal kundër personit fizik në cilësinë e personit përgjegjës në Institucionin shëndetësor privat-Spitali special për gjinekologji, obstetrikë dhe ortopedi “SANTE PLUS GROUP” në Shkup, i cili ka dhe një filial në Tiranë.
Personi në fjalë në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2018, me qëllim të përfitimit financiar të kundërligjshëm për vete dhe institucionin e raportuar shëndetësor, në disa raste ka kryer pagesa në para “cash” në vlerë të përgjithshme prej 35.097.304 denarë si paga dhe shtesa/shpërblime në pagë të një numri të madh individësh.
Në njoftim thuhet se punonjësit janë punësuar për nevojat e spitalit, por pa regjistruar pagesat e tilla në regjistrat kontabël të institucionit privat shëndetësor SANTE PLUS GROUP Shkup.
Në pagesën e pagave të punësuarve nuk janë llogaritur dhe raportuar kontributet për sigurimin e detyrueshëm pensional dhe invalidor, kontributet për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, kontributet e punësimit dhe kontributet shtesë për sigurimin e detyrueshëm në rast lëndimi apo sëmundjeje profesionale, si dhe tatimin mbi të ardhurat personale.
Në këtë mënyrë, sipas dëshmive me të cilat disponon Policia Financiare, dëmi i shkaktuar në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është gjithsej 11.609.349 denarë, përkatësisht 188.200 euro. /slobodenpecat