Manu Pakiao synon rekordin e moshës, kampioni më i vjetër i botës në boks

schedule21:29 - 20 Janar, 2019

schedule 21:29 - 20 Janar, 2019

Mani Pakiao iu afrua edhe më shumë rekordit si boksieri më i vjetër, kampion i botës. Legjenda filipinase triumfoi ndaj amerikanit Broner, duke marrë brezin e artë në moshën 40-vjeçare.
Mosha është një pengesë, dhe çfarë pengese, por për gjigandët e vërtetë të boksit, duket se nuk është plotësisht kështu.
Manuel “Mani” Pakiao dha një shembull duke fituar titullin botëror në peshat e mesme të boksit profesionist, ndërsa e ka kaluar moshën 40-vjeçare.
Legjenda filipinase triumfoi bindshëm me pikë ndaj amerikanit Adrien Broner, për të rifituar brezin e artë në versionin WBA.
Ndeshja në “MGM Grand Hotel” në Las Vegas u ndoq nga 13 025 spektatorë, në një Arenë të mbushur plot, dhe pikët ishin 117-111, 116-112, 116-112, që të gjitha për Pakiaon.
Kampioni I ri nuk u pengua nga fakti se pati 11 vite më shumë moshë sesa kundërshtari.
Kjo ishte ndeshja e tij e 70-të si profesionist, dhe për më tepër, ai u bashkua me legjendat që kanë dalë kampion mbi 40 vjeç, si Bernard Hopkins dhe Xhorxh Foreman.
Hopkins ia doli në moshën 49-vjeçare në vitin 2014, në peshat e lehta, ndërsa “Xhorxhi i madh” Foreman ishte rekordmen deri disa vite më parë, pasi fitoi brezin e artë në moshën 45-vjeçare, në 1994 në peshat e rënda.
Pakiao synon tani një duel tjetër me Flojd Mejuedhërin, i cili e ndoqi ndeshjen në sallë.
“I thoni atij që të kthehet në boks dhe, nëse e bën, unë jam gati që të ndeshemi”, – ishin fjalët e filipinasit. Për momentin, Mejuedhër nuk ka bërë ndonjë koment./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!