Të gjithë ata që marrin paga në bankë do të mund të përfitojnë hua më të lira, pasi do të kategorizohet si klientë me rrezik më të ulët, por kësti do t’u mbahet direkt nga paga.
Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Rregullorja në fjalë është ndër më të rëndësishmet e mbikëqyrjes bankare, sepse përcakton shkallën e mbulimit me kapital që bankat duhet të aplikojnë për kreditë, instrumentet financiare dhe të gjithë format e tjera të ekspozimit financiar.
Mes të tjerash, projekt ndryshimet parashikojnë lehtësime në kredi dhënien e bankave për klientët paga marrës me kontratë pune të përhershme dhe për pensionistët. Bankat mund të caktojnë një peshë rreziku në 35% të vlerës për kreditë e dhëna për pensionistët ose punonjësit me një kontratë pa afat (të përhershme), kundrejt transferimit të pakushtëzuar të një pjese të pensionit ose pagës së kredimarrësit në atë bankë. Aktualisht, për kreditë në segmentin me pakicë bankave iu kërkohet një ponderim me peshë rreziku në masën 75%, me përjashtim të produkteve ose klientëve për të cilët ka përcaktime të tjera specifike.
Pesha e rrezikut është koeficienti me të cilin shuma e kredisë shumëzohet për të ndërtuar raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Sa më i ulët është koeficienti i ponderimit, aq më pak mbulim me kapital rregullator kërkohet për kredinë në fjalë. Në rastin konkret, ulja e këtij koeficienti nga 75% në 35% redukton koston e bankës për të kredituar tek segmenti i klientëve paga marrës dhe e lehtëson huadhënien.
Megjithatë, rregullorja përcakton disa kushte për të mundësuar një klasifikim të tillë. Së pari, duhet që kredimarrësi të autorizojë pa kushte fondin e pensionit ose punëdhënësin për të bërë pagesa të drejtpërdrejta në bankë, duke zbritur pagesat mujore të kredisë nga pensioni ose paga mujore e tij. Gjithashtu, rreziqet e vdekjes, paaftësisë për të punuar, papunësisë ose reduktimit të pensionit ose pagës mujore neto të kredimarrësit, mbulohen në mënyrën e duhur nga një policë sigurimi e nënshkruar nga kredimarrësi në përfitim të bankës. Pagesat mujore që duhet të bëhen nga kredimarrësi për kredinë nuk duhet të tejkalojnë 20% të pensionit ose pagës mujore neto të kredimarrësit. Maturiteti origjinal maksimal i kredisë duhet të jetë i barabartë ose më i vogël se dhjetë vjet.
Ndryshimet në rregullore mund të kenë një rol në lehtësimin sidomos të kredidhënies konsumatore të bankave, sidomos tek klientët që iu paguhet paga ose pensioni në bankën në fjalë. Megjithatë, në teori, nga këto ndryshime mund të përfitojnë të gjithë klientët me të ardhura të formalizuara, edhe në rast se paga iu kalon në një bankë tjetër, me kusht që ata të autorizojnë punëdhënësin të derdhë këstin e kredisë direkt te banka ku do të marrin hua.
Për sa i takon kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme, ato edhe me rregulloren aktuale ponderohen me një peshë rreziku 35% në të gjitha rastet, me kusht që kredia të jetë e siguruar me një pasuri të paluajtshme rezidenciale në pronësi të kredimarrësit, e cila ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kusht tjetër është që vlera e kredisë të mos e tejkalojë 75% të vlerës së pasurisë së paluajtshme rezidenciale.
Prej vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka nisur aplikimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit të bankave, që parashikojnë rritje graduale të kërkesave minimale të kapitalit të bankave. Megjithatë, paralelisht banka qendrore po tenton të balancojë kostot nga rritja e kërkesave për kapital, me disa lehtësime që ulin nivelin e kërkuar të kapitalizimit të bankave për produkte të veçanta, ku vlerësohet se rreziqet janë më të kontrolluara./Monitor