“Unë nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të ndryshoj stilin e flokëve të mi”. Këto ishin fjalët e balerinës së famshme Hueyda El Saied pasi zbuloi se kishte hequr dorë nga flokët e saj karakteristike kaçurrela. Artistja shumë e dashur u përball me një sërë reagimesh sa pozitive por edhe negative për ndryshimin drastik që kishte pësuar në pamjen e saj.
Por ajo që nuk dinte askush, ishte se në fakt pas këtij vendimi fshihej një sëmundje e rëndë që ditën e sotme i mori jetën. Komentet e shumta që mori asokohe sollën reagimin e saj, e cila edhe pse po luftonte me sëmundjen, shprehej se ndihej mirë me veten dhe nëse do të ndryshonte diçka nga vetja me një shkop magjik nuk do të ishin flokët e saj.
“Nëse do të kisha një shkop magjik dhe të kisha mundësi të ndryshoja jetën time apo pamjen time fizike, duhet të jeni të sigurt për një gjë, nuk do të filloja nga flokët. Zgjedhjet tona na përkasin, ndonjëherë bëjmë të duhurat, ndonjëherë jo! Ju dua shumë, por ju lutem mos më bëni të mendoj se për ju unë jam thjesht një top leshi kaçurrel.”, shkruante ajo. /abcnews.al