Lajmi i trishtë se ka ndërruar jetë artistja e njohur shqiptare Hueyda El Saied ka tronditur showbizzin shqiptar. Artistja jetonte prej kohësh në Luksemburg, ku ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë nga e cila vuante. Ajo ishte nënë e një djali, Gabriel, i cili erdhi në jetë nga martesa e parë me partnerin francez, Michael Tamisier.
Ndarja erdhi si pasojë e tradhtisë nga ana e Tamisier. Një vit më parë, balerina njoftoi se ishte martuar me partnerin e saj prej vitesh, Thierry-n në një ceremoni private. El Saied ishte ndër të paktat vajza qe ka provuar gjithçka sa i përket ekranit. Gjatë karrierës së saj profesionale, ka pasur privilegjin të punojë si disa fusha. Shqiptarët e njohin si një balerinë, moderatore, spikere lajmesh dhe piktore.
El Saied lindi në Tiranë në vitin 1975 nga nëna shqiptare dhe babai sudanez. Ka studiuar në Shkollën Artistike Jordan Misja në Tiranë dhe gjithashtu në Universitetin e Tiranës. Ajo mori një diplomë master në bashkëpunim ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe politika evropiane nga Universiteti i Romës në Itali. Ajo drejtoi gjithashtu programe të ndryshme si: “Një këngë për ty” në “Top Channel” dhe Festivalin Kombëtar në “RTSH”.
Në vitin 2000 ajo botoi romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 doli libri i dytë, një roman, “Maska e zemrës”. Ajo u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Francë, ku u bë pjesë e disa kanaleve televizive si “France 2”, “TF1” dhe “M6”. Baleti ishte fusha ku u përqendrua dhe u bë pjesë e shfaqjeve televizive për këngëtarë dhe grupe si Lara Fabian, Moos, Donna Summer, Nigel & Marvin dhe interpretoi në videoklipet e Alizée, Florent Pagny, Fezaa, Etienne Daho etj.
Përveç kësaj, ajo ka punuar dhe si modele dhe u bë pjesë e fushatave televizive në Francë, Belgjikë, Portugali etj. Ajo ka shkruar shumë artikuj mbi çështjet sociale të cilat ishin botuar në gazeta të ndryshme të përditshme, të tilla si: Shqip, Panorama dhe Tirana Observer.
/abcnews.al