Nga Ajgena Korbi
Shumë të infektuar po vuajnë pasojat e koronavirusit në mushkëri dhe tre javë pas negativizimit. Rreth 3-4 pacientë në ditë shtrohen në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë për tu trajtuar për post Covid.
Ditët e fundit mjekët e këtij spitali sipas drejtoreshës Silva Bala po përballen gjithashtu me numër të lartë vizitash për probleme që lë virusi.
“Ka ngarkesë në këto kohë me rastet post Covid. Unë shikoj që çdo ditë rritet numri i rasteve,’ thotë Bala.
Në pavionin e veçantë në ish Sanatorium po trajtohen për post Covid rreth 25 pacientë.
Kryesisht janë të moshave mbi 50 vjeç, që vuajnë dhe nga sëmundje të tjera dhe të pa vaksinuar.
“Prandaj ne themi të vaksinohemi. Post Covi i rëndë dhe i zgjatur është më tepër këto ditë tek ata të pavaksinuar” shprehet Bala.
Në vendin tonë nuk ka ende një studim të saktë sa persona humbin jetën nga pasojat që iu ka lënë Covid, por mjekët thonë se numri i vdekjeve është më pak se nga ai që ka shkaktuar virusi.
Nëse një pjesë e të infektuarve vuajnë shqetësime deri në tre javë pas negativizimit disa të tjerëve iu zgjasin deri në një vit
Në 20 muaj pandemi në Shqipëri Covid-19 sipas shifrave zyrtare e kanë kaluar mbi 185 mijë persona ndërsa 3040 vetë kanë humbur jetën prej tij. /abcnews.al