Më shumë se 120 vjet heqje lirie ka kërkuar sot Prokuroria për Krimet e Rënda për 8 prej të akuzuarit për grabitjen e 9 milionë eurove të marra nën forcën e armëve në 3 grabitje.
Për të pandehurin Dash Kupa, organi i akuzës kërkoi 20 vjet heqje lirie, për Ernest Kupën, 19 vjet e 8 muaj burg, për Neim Avdylajn, 20 vjet burg, për Ditjon Memlikën 5 vjet 8 muaj, për Admir Çerpjen prokuroria kërkoi 5 vjet 8 muaj heqje lirie, ndërsa për Fatjon Xhuliun, Dritan Sinanin dhe Aleksandër Muratajn organi i akuzës kërkoi nga 16 vjet heqje lirie.
I vetmi për të cilin nuk u kërkua sot dënimi ishte pikërisht kreu i këtij grupi kriminal Admir Murataj, i cili vijon të jetë person në kërkim dhe për këtë arsye është pezulluar gjykimi ndaj tij. Grupi kriminal i drejtuar nga Admir Murataj dyshohet të mbajë autorësinë e tre episodeve kriminale të goditjes së autoblindave që transportonin vlerat financiare.
Sipas prokurorisë, goditja e parë është ajo e 13 Shkurtit 2015 në një bankë pranë ish-Stacionit të Trenit në kryeqytet, ku u grabitën gati 2 milionë euro. Episodi tjetër është ai i Dhjetorit të vitit 2015 në segmentin rrugor Kthesa e Kasharit- Rinas, ku u grabitën gati 3.8 milionë euro.
Persona të armatosur, të maskuar dhe veshur me uniforma të ngjashme me ato të policisë, i prenë rrugën eskortës së bankës, neutralizuan punonjësit e sigurisë dhe u larguan bashkë me thasët e parave. I njëjti mekanizëm, sipas prokurorisë është përdorur edhe në episodin e tretë, i shënua në Shkurt 2017 në të njëjtin aks rrugor ku u grabitën gati 3.2 milionë euro./abcnews.al