Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha pas deklaratës së bërë prej tij në një intervistë për gazetarin e ABC Juxhin Mustafaraj (Lexo këtu intervistën). Blushi shkruan se ndihet i keqardhur që Basha vazhdon të përfshijë presidentin në krizat që ai shpik pa u lodhur.
Ai citon katër pika të cilat i cilëson si katërkëndëshi i përgjegjësive të tij madhore, duke nisur nga bojkoti i reformës territoriale, reformës në drejtësi, djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor. Blushi shprehet se Meta e pret Bashën në presidencë për çdo sqarim që ka nevojë ndërsa me ironi shton se kur ky takim të ndodhë Basha ta pranojë përfundimisht 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.
“Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur. Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:
- Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
- Bojkoti i reformës në drejtësi;
- Djegia e mandateve të deputetëve;
- Zerimi i opozitës në pushtetin vendor; që sollën kapjen totale të shtetit.
Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë. Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.
Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET! Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Tedi Blushi. m.v/Abcnews.al