Pas 19 orë terror, të shtëna dhe gjakderdhje ka marrë fund sulmi në një kompleks luksoz biznesi në kodrat e Nairobit në Kenia, që ka lënë pas 14 të vdekur dhe dhjetëra persona të humbur.
Një sulm i nisur të martën nga një grup militantësh në hotelin më luksoz të Nairobit, në Kenia, ka marrë fund pas 19 orësh, kur të gjithë terroristët janë vrarë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale, sipas të cilave nga sulmi të paktën 14 persona kanë humbur jetën, ndërsa 50 të tjerë konsiderohen të humbur. Grupi somalez i militantëve Al Shabab mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Nuk dihet ende se sa agresorë morën pjesë në të, por presidenti i Kenias ka deklaruar se të përfshirë ishin 5 terroristë të cilët janë ekzekutuar nga forcat e sigurisë.
Ndërkohë, dy persona të tjerë të lidhur me atentatin u arrestuan gjatë një seri bastisjesh që policia kreu ditën e mërkurë. Veç numrit të viktimave dhe personave të konsideruar të humbur, rreth 700 të tjerë që ndodheshin në hotelin “DUSIT” u evakuuan gradualisht gjatë atentatit. Mes viktimave është edhe një shtetas amerikan, Xhejzon Shpindler, i cili në vitin 2001 u kishte mbijetuar sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork.
Hoteli me 5 yje “DUSIT D2” ndodhet në periferinë Uestlends, fare pranë zonës financiare të Nairobit dhe shërben edhe si kompleks biznesi ku nënshkruhen marrëveshje të ndryshme. Në të qëndrojnë shpesh politikanë të huaj, biznesmenë, sportistë dhe artistë. Në vitet e fundit Kenia ka parë një rritje të sulmeve terroriste, të verifikuara kryesisht në zonat pranë kufirit me Somalinë dhe në kryeqytetin e vendit./abcnews.al