Golden Stejti arriti një fitore të madhe në basketbollin amerikan, duke triumfuar në fushën e një rivali për titull. Kampionët dominuan ndaj Denverit, falë tre yjeve të tyre kryesorë
Nëse donte të jepte një mesazh, gjeti ndeshjen e duhur.
Nuk kishte sfidë më domethënëse për Golden Stejtin sesa ajo në fushën e kryesuesit të Konferencës Perëndimore, Denver Nagets, pra një rivali direkt për titull.
Kampionët në fuqi të NBA-së jo thjesht fituan, por arritën një triumf të tillë që do të bëjë të ndryshojnë mjaft parashikime të sezonit.
Vendosën një rekord të ri në NBA për pikët e shënuara në çerekun e parë të një ndeshjeje, plot 51, ndërsa diferenca ishte plot 31 pikë, me shifrat 142-111.
E gjitha kjo, jashtë fushe dhe ndaj një kundërshtari kaq të fortë.
Siç ndodh shpesh, përcaktuese ishte treshja e madhe e përbërë nga Stefën Kërri, Kevin Duranti dhe Klej Tompsoni, që shënuan së bashku gati 90 pikë, shumicën e të cilave në 30 minutat e para.
Prej 25 vitesh, asnjë treshe nuk e bën një gjë të tillë në basketbollin amerikan, por kjo e Golden Stejtit e ka bërë dy herë.
Kërri e Tompson realizuan nga 31 pikë secili, Durant pati 27, ndërsa Drejmond Grin, vërtet shënoi shumë pak pikë, vetëm 4, por mori notën më të lartë nga të gjithë, për lojën e shkëlqyer në mbrojtje dhe në sulm.
Ylli serb, Nikola Jokiç, nuk mundi t’i përballonte kaq shumë kundërshtarë, dhe e mbylli ndeshjen me 17 pikë të shënuara, 4 topa në tabela e 8 asistë.
Ai gaboi shumë në gjuajtje, dhe ashtu si shokët, nuk e përballoi dot presionin psikologjik të një dueli të tillë.
Golden Stejti doli në vend të parë në Perëndim, pas këtij suksesi, ndonëse dy skuadra të Lindjes, Toronto e Miluoki, kanë ende një bilanc më të mirë./abcnews.al