Meta reagon për vrasjen në Fier: Thirrje alarmuese për institucionet

schedule12:06 - 17 Nëntor, 2021

schedule 12:06 - 17 Nëntor, 2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas vrasjes makabre të 8-vjeçarit në Fier, Mateo Vasiu.

Meta shprehet se krimi ka një autor por ka edhe bashkëpërgjegjës duke bërë kështu përgjegjës institucionet që sipas tij nuk kanë bërë detyrën.

“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi. Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.  Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.  Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, shkruan Meta./abcnews.al/