Mbrëmjen e së mërkurës parlamenti grek do të votojë për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeminstrit Aleksis Tsipras. Vetëm pas kësaj do të caktohet data për votimin e marrëveshjes së Prespës.
Debati i tensionuar mes liderëve politikë në parlamentin grek, i nisur të martën, do të arrijë kulmin mbrëmjen e të mërkurës ku dhe pritet të votohet për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Aleksis Tsipras. Mediat greke parashikojnë se qeveria do të mund t’i mbijetojë votimit dhe pse me shumë pak vota në favor. Qeveria e Tsipras ndodhet në një situatë të vështirë pas largimit nga koalicioni i “Grekëve të Pavarur” të Panos Kamenos.
Debatet mes Tsipras dhe liderit të Demokracisë së Re, Mitsotakis, ishin shumë të ashpra duke dhënë shijen e një fushata zgjedhore, në një kohë që ideja e zgjedhjeve të parakohshme sa vjen e bëhet më reale. Tsipras u kërkoi deputetëve që të votonin duke dëgjuar ndërgjegjen e tyre për sa i përket mocionit votëbesimit dhe Marrëveshjes së Prespës, dhe vetëm në këtë mënyrë demokracia do të fitonte.
Mitsotakis nga ana e tij e cilësoi si një shfaqje të qeverisë, e cila sipas tij është e gatshme të miratojë marrëveshjen e dëmshme të Prespës, vetëm për të mbijetuar. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se po përpiqej të korruptonte deputetë jo të Syrizës për të pasur votën e tyre.
Qeverisë së Tsipras i duhen 151 vota për të mbijetuar, ndërsa deputetët e Syrizës janë 145. Ndërkohë pritet që data e saktë për votimin në parlamemt të marrëveshjes së Prespës do të bëhet e ditur pas votimit të mbrëmjes së të mërkurës për mocionin e votëbesimit të qeverisë së kryeministrit Tsipras./abcnews.al