Nënë e bijë turiste nga Gjermania kanë kaluar një aventurë të pakëndshme mbrëmjen e sotme duke tentuar të kalojnë nga Tropoja në drejtim të Thethit pasi kanë humbur rrugën.
Policia bën me dije pas disa orë kërkimesh është bërë e mundur gjetja e tyre në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, në gjendje të mirë shëndetësore.
“Policia e Tropojës u vjen në ndihmë 2 turisteve gjermane. Më datë 15.11.2021, në mbrëmje, në Valbonë, dy turiste nga Gjermania, nënë e bijë, të moshës 70 dhe 43 vjeçe, kanë humbur rrugën duke eksploruar territorin nga Valbona në drejtim të Thethit.
Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe pas disa orë kërkimesh është bërë e mundur gjetja e tyre, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, në gjendje të mirë shëndetësore. Turistet gjermane kanë falënderuar punonjësit e Policisë që i erdhën në ndihmë”, thuhet në njoftimin e policisë. /Abcnews.al