Buxheti 2022, Rama debat me opozitën: Cilën PPP doni të hiqni, sterilizimin, check up-in, rrugën e Arbrit?

schedule11:54 - 15 Nëntor, 2021

schedule 11:54 - 15 Nëntor, 2021

Në seancën e sotme plenare maratonë në Kuvend do të shqyrtohet projektligji për buxhetin 2022.  Seanca ka nisur me replikat e kreut të mazhorancës Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Ndërsa i referohej akuzave të opozitës për nivelin e varfërisë në vend, kryeministri Edi Rama citoi një raport të EUROSTAT për varfërinë.

Nga sa citoi Rama, në renditjen për varfërinë në vitin 2019, Shqipëria radhitej në një grup së bashku me Turqinë, Letoninë dhe Serbinë.

“Sipas kësaj, Shqipëria në tabelë e renditjes për varfërinë në 2019, renditet jo me 50-60 për qind varfëri. Kjo ka qenë në kohën tuaj. Mbi 40 për qind. Renditet në një grup së bashku me Turqinë, 22.4, Letonia, 22.9, Shqipëria 23, Serbia 23.2 pas Shqipërisë,  e pasuar nga Rumania dhe Mali i Zi. Ti me shifrat ke një problem fiziologjik dhe psikologjik. Pse thua, 50, thuaj 60, 100 për qind. E vërteta është kjo. Shifrat më kohën tuaj janë pa krahasim fare…”

Në fjalën e tij, kreu i PD deklaroi se buxheti vitin e ardhshëm do të japë me PPP për 5 oligarkë, 113 milion euro. Sipas Bashës kjo është dyfishi i indeksimit të pensioneve.

Në përgjigje të deklaratave të tij, Rama u bëri një sërë pyetje demokratëve në lidhje me PPP-të

“E dyta, kjo veza e Kolombit që ka zbuluar PD, 113 milionët e PPP, që do t’i heqë PD dhe do të shpëtojë shtresat në nevojë, bujqësinë, blektorinë. Do hiqni pikat fundore të përpunimit të mbetjeve? E latë shqipërinë të mbytur në plehra që sot që kemi një problem në vazhdim, duket problem, kurse atëherë ishte status quo-së kudo…Do të hiqni instrumentet mjekësorë? Dializën do hiqni? S’e keni problem. Check-upi do të qëndrojë, doni apo nuk doni ju. Do të hiqni laboratorët e analizave? Do hiqni mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit?”

Rama i kujtoi opozitës koncesionin e skaneravë dhe atë të kolaudimit, prej të cilëve sipas Ramës nuk përfitojnë qytetarët.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri i kujtoi PD-së se e vetmja gjë që ka në dorë është që të votojë kundër, ndërsa u solli në vëmendje edhe krizën aktuale në Selinë Blu.

“…Problemi është që ju nuk hiqni dot asgjë. Ju mund të votoni kundër e kaq. Nuk na ndalnit dot dje, nuk na ndalni sot, nesër jo e jo. Shkoni e ndalni njëri-tjetrin…Do ta bëjmë Shqipërinë për fëmijët tanë dhe tuajt.” /abcnews.al/