999 portrete të zakonta, në një ekspozitë të pazakontë, nga një fotoreporter i jashtëzakonshëm. Fotoreporteri transgjinor David Hardy, dy vite më parë pati idenë e çmendur për të dokumentuar përjetësisht portretet e 999 personave. David tregon se në fillimet e projektit, njerëzit tregoheshin spektik për t’u fotografuar, por me kohën filloi që çdo ditë e vitit t’i mbushej me sete fotografike.
“Më shumë iu detyrohesha këtyre personave që kam fotografuar deri më tani se kjo gjë është reale. I kam pas publikuar nëpër rrjete sociale, për t;i treguar se është diçka që po ndodh. Ishte dhe një frymëzim për mua që të vazhdoja pjesën e dytë të portreteve që të arrija deri në përfundim. Qëllimi kryesor është që ky projekt të botohet në tre vëllime librash, ku secili të përmbajë 333 portrete.“, tha fotoreporteri.
Në ekspozitë vihet re qartazi dominanca e të rinjve me gjithë lakimet e tipareve të tyre, por ajo çka bie në sy janë portretet e të moshuarve, ndonëse në minorancë, me buzëqeshjet e çiltra, fytyrat rrezatuese e krejt pa komplekse përballë lentes fotografike. Në fotografitë e tij, David Hardy ka zgjedhur të mos ketë dallim feje, moshe, përkatësie dhe gjinie.
Ndaj komuniteti LGBT, të cilit ai vetë i përket, nuk mund të mos ishte pjesë e këtij projekti gjithëpërfshirës. Ekspozita u çel në datën 13 dhe do të qëndrojë hapur deri në 21 Korrik, duke mirëpritur çdo dashamirës të fotografisë dhe shijues të artit. /abcnews.al