Forca detare shqiptare po ristrukturohet dhe konceptohet si pjesë e një ushtrie të një vendi të NATO-s. Në 93 vjetorin e krijimit të kësaj force, ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se misioni i forcave tona detare në detin Egje, në kuadër të Aleancës, do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2019.
Në 93 vjetorin e krijimit të Forcës Detare shqiptare Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, sot kjo forcë, ashtu si gjithë Forca e Armatosur, ka pësuar transformime të thella që i janë përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.
Sipas Xhackes forca detare shqiptare është rikonceptuar, ristrukturuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura, duke u bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të NATO-s.
“Në planet tona afatgjata ne kemi parashikuar zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Detare, dhe modernizimin e saj me paisje dhe mjete lundruese moderne, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, që t’i përgjigjemi jo vetëm kërkesave tona por edhe atyre të NATO-s..
Ajo gjithashtu bëri të ditur se falë profesionalizimit të treguar nga efektivët shqiptarë, në 24 muajt e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, misioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019.
“Tashmë u mbushën dy vjet që nga fillimi i këtij misioni jo të lehtë dhe prezenca jonë atje është tepër e vlerësuar dhe e kërkuar nga drejtuesit e operacionit. Marinarët tanë janë kthyer në heronj dhe kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga mbytja e sigurt në det. Ne jemi të vendosur që të vijojmë edhe vitin që vjen do të jemi sërish prezent në këtë rajon, së bashku me Aleatët tanë”,
93- vjetori i krijimit Forcës Detare përkon edhe 100 vjetorin e lindjes së Kundëradmiralit më jetëgjatë, të Flotës Luftarake Detare, Abdi Matit. Në nder të tij, familja botoi albumin me foto e fakte historike për figurën e Kundëradmiralit dhe të Flotës Luftarake Detare në vitet 1945 – 1992. /abcnews.al