Vikitma e 25-të e koronavirusit në Shqipëri është një 90-vjeçar nga Fieri. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se i moshuari, ishte i intubuar prej 11 ditësh, vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.
Ndërkaq, gazetarja Valbona Davidhi raporton për Abc News se 90-vjeçari u evidentua 2 javë më parë si i infektuar. Bëhet fjalë për vatrën ku u prekën dy bashkëshortët e moshuar në një pallat në lagjen “15 tetori” si edhe një mësuese.
90-vjeçari e humbi betejën me koronavirusin, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet ende në spitalin Infektiv dhe në kushte të tilla ajo ende nuk e ka mësuar lajmin e vdekjes së bashkëshortit.
Lexo edhe: Humb jetën pacienti te Infektivi, shkon në 25 numri i viktimave nga koronavirusi
Ndërkohë sot ajo u transferua drejt banesës së saj duke qenë se ka dalë negative në testin e dytë që i është bërë.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se infektimi i bashkëshortëve ka qenë i rastësishëm, pasi nuk kanë pasur histori udhëtimi apo kontakte me persona të infektuar.
Ndërkohë, në Fier situata është e qetë, pasi prej një jave nuk ka raste të reja të konfirmuara.
/abcnews.al