90% e sondazhit mbi “non gratat”, kërkojnë hetime nga prokuroria

schedule15:12 - 25 Janar, 2022

schedule 15:12 - 25 Janar, 2022

Nga Erneta Shevroja

Ish-kryeministri Sali Berisha është politikani i fundit shqiptar që u shpall non grata nga Departamenti i Shtetit, në maj të vitit të kaluar.

Në këtë listë para tij janë përfshirë ish-deputeti Tom Doshi, ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe Vangjush dhe ish kryeprokurori Adriatik Llalla, të tre me akuzën e korrupsionit madhor.

Organet hetimore në vend duken si të distancuara nga këto raste, ndërsa qytetarët në masë kërkojë rol aktiv. Instituti i Studimeve Politike ka bërë një sondazh të detajuar për listën e zezë amerikane dhe dekriminalizimin, nga i cili rezulton që 90 për qind të të pyeturve besojnë se prokuroria duhet të hetojë këta politikanë.

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike thekson se nuk është vetëm prokuroria por edhe partitë dhe KQZ që duhet të reagojnë nga këto individë.

Edhe për rastin e politikanëve që i kap dekriminalizimi qytetarët shprehen se duhet të ketë qëndrime të forta nga institucionet. Sipas gjetjeve të sondazhit, në masën e 73% të qytetarëve besojnë se kur një deputet humbet mandatin për shkak të dekriminalizimit, partia politike nuk duhet ta zëvendësojë, por të penalizohet me humbjen e mandatit gjatë gjithë legjislaturës, 17% ndajnë opinion të kundërt.

90% besojnë se çdo politikan nën hetim për krim dhe korrupsion duhet të pezullojë funksionet politike në parti, deri në vendimin final të gjykatës.

Sakaq, për pastrimin e politikës nga të inkriminuarit, qytetarët besojnë më shumë tek ambasadat, posaçërisht ajo amerikane, se sa tek institucionet e vendit, që i bëjnë përgjegjëse për këto individë. Konkretisht, sipas sondazhit, 97% bëjnë përgjegjës partitë për kandidatët e inkriminuar, 83% Prokurorinë, 72% zgjedhësit dhe në masën 38% KQZ./abcnews.al