KONSIPOL- Në Kllogjer të Konispolit është përkujtuar 82-vjetori i gjenocidit ndaj Çamërisë. Në Varrezat e ‘Trëndafilat e Çamërisë’, qindra çamë, të mbijetuar të luftës, pasardhës të tyre dhe qytetarë të tjerë, kanë kryer homazhet e përvitshme.
Habibja mban emrin e njërës prej motrave që humbi jetën në masakër. Sot ajo është këtu për të nderuar të rënët e familjes së saj dhe për të kërkuar drejtësi për ta.
“Erdhi babai me 7 fëmijë, edhe nëna 8, edhe babai 9. Pesë fëmijë na kanë vdekur këtu në një ditë: Ballkëza 15 vjeçe, Habibeja 8 vjeçe, Salomeja 4 vjeçe, një djalë 2 vjeç dhe një fëmijë sapo e lindi nëna”, pohoi ajo.
Edhe për këtë zonjë historia është thuajse e njëjtë. Aty prehen të dashurit e saj.
“Tre motra atje të vdekura, dy xhaxhallarë, kushërinj të parë e të gjithë. E kam sjellë motrën e madhe me bastun zvarrë, vetëm që ta ketë edhe një kujtim të fundit, sepse mosha bën të vetën. Ata prindërit tanë të prehen të qetë atje ku janë, se për ne ishte një tmerr. Jemi dëgjuar prindërit tanë që edhe në minutat e fundit të jetës së tyre ata kërkonin gurët e shtëpisë së tyre”, theksoi një tjetër.
Edhe pse të shpërndarë fizikisht, rrënjët nuk i harrojnë. Arta vjen nga Kosova, por është çame dhe mban emrin e tokës nga ku e kanë prejardhjen të parët e saj.
“Mbaj emrin e Artës së krahinës së Çamërisë. Sot vij nga Kosova për të kujtuar viktimat, në nder të viktimave, sepse ju dhe ne jemi ata që e kuptojmë dhimbjen e njëri-tjetrit”, tha ajo/abcnews.al



