Të paktën tetë persona kanë vdekur si pasojë e përmbysjes së dy varkave me emigrantë në ujërat e qytetit të San Diego-s (Kaliforni, SHBA), sipas Departamentit lokal të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të dielën.
Ekipet e shpëtimit u njoftuan për incidentin të shtunën vonë në mbrëmje, kur telefonoi një grua që fliste spanjisht.
Ajo tha se kishte pasur një përplasje mes dy varkave dhe se personat në varkën e saj, me tetë persona, kishin mbërritur në tokë, por varka tjetër, e cila kishte nga tetë deri në dhjetë persona në bord, ishte fundosur.
Shërbimet e urgjencës përdorën koordinatat e celularit nga i cili ishte bërë telefonata për të përcaktuar se ishte zona e një plazhi jashtë San Diegos. Pas mbërritjes, ata gjetën dy varkat e përmbysura.
Përpjekjet e shpëtimit, duke përfshirë rojet e shpëtimit, rojet bregdetare dhe zjarrfikësit, u ndërlikuan nga batica e lartë dhe mjegulla e dendur, tha në një konferencë shtypi shefi i shpëtimit të San Diegos, James Gartland.
Edhe pse helikopterët e Rojës Bregdetare u mobilizuan, avioni duhej të kthehej në bazë për shkak të mjegullës.
/abcnews.al